Rajoni Shqiperia

Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim së shpejti ndihma për të dëmtuarit në Shkodër

TİKA, së shpejti do tu vijë në ndihmë banorëve të Shkodrës të cilët janë dëmtuar nga përmbytjet të cilat ende vazhdojnë. Kërkesa për këtë ka ardhur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila në një takim me ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe Koordinatorin e TİKA-s për Shqipërinë, Necip Özay Özütok ka përcjellë problematikat në këtë zonë si dhe ka kërkuar ndihmën e autoriteteve turke.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë dhe Koordinatorit të TİKA-s, të cilët kanë thënë se do të nisin menjëherë punën për hartimin e planit të shpërndarjes së ndihmave në zonat e prekura.

Në këtë takim është diskutuar gjithashtu edhe për projekte dhe bashkëpunime të tjera, ku Ademi ka kërkuar nga autoritetet turke më shumë interesim për objektet historike. Duke falënderuar Turqinë për mbështetjen në restaurimin e xhamisë simbol të mbijetesës fetare në Shqipëri, Xhamisë së Plumbit, Ademi ka shprehur dëshirën edhe për restaurimin e hamamit të këtij qyteti dhe ka kërkuar që ai të kthehet në identitet.

Ademi ndër të tjerat ka thënë gjithashtu se shumë shpejt do të dorëzojë edhe projekte të tjera tek TİKA, projekte të cilat sipas saj kanë të bëjnë me shtresat në nevojë të Shkodrës, fermerët dhe veçanërisht në shtimin e kontributit të grave në ekonomi.

Ambasadori Yörük gjatë bisedës është shprehur i gatshëm dhe ka thënë se Turqia ka qenë dhe do të mbetet të jetë pranë vëllezërve shqiptarë gjithmonë dhe veçanërisht në kohë të vështira. Duke vënë në dukje rëndësinë e restaurimit të hamamit të qytetit, Yörük ka theksuar se janë të gatshëm që të rikthejnë këtë vlerë të humbur ekonomisë dhe turizmit të qytetit të Shkodrës dhe Shqipërisë./ trt

OPINIONE