“Air Albania” filloi fluturimet nga aeroporti i ri i Stambolli

“Air Albania”, kompania e parë ajrore kombëtare e Shqipërisë, e krijuar si një sipërmarrje e përbashkët me shoqërinë ajrore turke “Turkish Airlines-THY”, filloi të premten fluturimet nga Aeroporti i Stambollit, qendra e re ajrore ndërkombëtare e qytetit.

“Air Albania” është shoqëria e parë e huaj ajrore që ka ardhur në aeroportin e ri të Stambollit, pasi aeroporti ka nisur të operojë me kapacitet të plotë.

Kompania ajrore shqiptare do të realizojë çdo ditë 2 fluturime midis Stambollit dhe Tiranës.

Me këtë rast në terminalin e fluturimeve ndërkombëtare u organizua një ceremoni. Para fjalimeve përshëndetëse, drejtuesit e “Air Albania” dhe firmës IGA, që administron aeroportin e ri të Stambollit, prenë pastën së bashku.

Administratori i “Air Albania”, Sinan Dilek në deklaratën që bëri këtu për gazetarët tha se ndjehet i lumtur për realizimin e fluturimit të parë nga Stambolli.

“Aeroporti i ri i Stambollit më pëlqeu shumë. Është i jashtëzakonshëm, një monument fitoreje; është aeroporti më i madh në botë. Ndjehemi krenarë që i fillojmë këtu fluturimet”, shtoi ai.

Në vijim të fjalës së tij Dilek falënderoi drejtuesit e THY-së dhe kompaninë për ndihmën e pakursyer që nga procesi i themelimit të “Air Albania” e deri më sot.

Faza e parë e aeroportit të ri të Stambollit u hap zyrtarisht në tetor të vitit të kaluar.

Momentalisht aeroporti ka një kapacitet vjetor prej 90 milion pasagjerësh, por kur të kenë përfunduar edhe fazat e tjera të ndërtimit (2028), kapaciteti do të shkojë në 200 milionë pasagjerë në vit. Aeroporti i ri i Stambollit synon të bëhet një qendër globale e aviacionit me fluturime në mbi 350 destinacione anembanë botës./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne