Akar: Rusia dhe Turqia filluan misionet patrulluese në Idlib

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar bëri të ditur se Rusia sot do të fillojë me patrullime jashtë “Zonës së Çtensionimit në Idlib”, ndërsa Forcat e Armatosura të Turqisë brenda saj.

Gjatë pjesëmarrjes në editorialin e organizuar në kuadër të festës së 8 Marsit, Ditës së Gruas nga Agjencia e Lajmeve Anadolli (AA), ministri Akar iu përgjigj pyetjeve të gazetareve.

Në përgjigje të pyetjes se “Kur do të fillojnë patrullimet e Forcave të Armatosura të Turqisë me Rusinë në Idlib në përputhje me vendimin e marrë në kuadër të Samitit të Soçit të mbajtur më 14 shkurt 2018?”, ministri Akar bëri të ditur se edhe me Rusinë edhe me Iranin u arrit në koordinim në lidhje me këtë çështje dhe tha: “Sot Rusia do të fillojë me patrullime jashtë ‘Zonës së Çtensionimit në Idlib’, ndërsa Forcat e Armatosura të Turqisë brenda saj. Në të njëjtën kohë kishte edhe kufizime në përdorimin e hapësirës ajrore të Idlibit dhe Afrinit. Edhe këto kufizime janë hequr duke filluar prej sot”.

Ai bëri të ditur se regjimi sirian është duke vazhduar me bombardime të njerëzve të pafajshëm në mënyrë të pamëshirshme, ndërsa shtoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me Rusinë për ndalimin e tyre.

Akar shtoi se nga aspekti i normalizimit të gjendjes humanitare, realizimit të armëpushimit dhe vendosjes së stabilitetit në këtë rajon po vazhdojnë kontaktet me rusët që të bëjnë paralajmërimet e nevojshme dhe presion ndaj regjimit si dhe për të marrë masat e nevojshme.

Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë kontakt me regjimin sirian, ndërsa tha se “Të gjitha kontaktet po zhvillohen me rusët dhe nëse është e nevojshme me iranianët”.

Ndërkaq në përgjigje të pyetjes se kush do të qëndrojë brenda Zonës së Sigurt, Hulusi Akar tha: “Në Zonën e Sigurt do të jenë të dislokuara trupat e Forcave të Armatosura Turke. Kjo është e prerë. Prania e një grupi të PKK-së, YPG-së apo të ndonjë grupi tjetër terrorist në një zonë të afërt me kufirin tonë ne e shikojmë si një kërcënim, si një rrezik për vendin dhe popullin tonë. Ne i përcollëm dhe vazhdojmë t’u përcjellim këtë shumë herë edhe homologëve tanë”.

Në lidhje me sistemet e mbrojtjes raketore S-400 që do të merren nga Rusia, ministri Akar tha se ky sistem do të vihet në përdorim duke filluar nga tetori i këtij viti.

“Blerja e sistemeve S-400 për ne më shumë ishte një detyrim se sa përzgjedhje. Ne jemi të obliguar për t’i mbrojtur 82 milionë qytetarët tanë”, shtoi Akar./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne