Në një operacion të përbashkët, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale ka vënë në pranga shtetasin T. N., 35 vjeç, i cili dyshohet si autori i aksidentit tragjik që ndodhi më 29 maj 2025 dhe la pas vdekjen e një 59-vjeçari.
Pas një hetimi të gjatë dhe pas shpalljes në kërkim të autorit, u bë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i tij në Tiranë.
Në aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Mbikalimi i Patokut–Laç”, shtetasi T. N. ka aksidentuar fatalisht shtetasin F. H., 59 vjeç, banues në Kurbin, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
35-vjeçari u arrestua në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, e cila caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Në vijim të hetimeve, nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi A. B., 23 vjeç, i cili dyshohet për veprat penale “Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai ka deklaruar rremë se ishte drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin, por hetimet kanë treguar se drejtuesi i vërtetë ishte shtetasi T. N.
Materialet procedurale për të dy shtetasit janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme ligjore./syri