Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe një herë të gjithë bizneset që kanë zënë hapësirat publike dhe ende s’i kanë liruar ta bëjnë menjëherë pasi ky aksion nuk do të ndalet.
Në një postim në rrjetin e tij social “Facebook”, Rama shprehet se të gjithë ato biznese që kanë refuzuar urdhrin, do të përballen dhe me një gjobë të majme.
“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit
Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shkruan Rama.
Në emër të “çlirimit të hapësirave publike”, Edi Rama ka nisur një tjetër aksion që në pamje të parë ngjan me një përpjekje për rregull dhe urbanizim. Por pas fjalëve të bukura dhe deklaratave të rrepta, fshihet një realitet më i ashpër: një shtet që godet më të dobëtit, që shfaq muskujt mbi bizneset e vogla ndërkohë që hesht për ndërtimet pa leje të të mëdhenjve.
“Mosbindja do ndëshkohet me gjoba”, paralajmëron Kryeministri, me një gjuhë që nuk lë shumë hapësirë për dialog, por për frikë. A është kjo mënyra për të ndërtuar një shtet ligjor? Apo thjesht një tjetër shfaqje autoritarizmi ku vendimet merren njëanshëm dhe ekzekutohen pa mëshirë?
Në shumë qytete, bizneset familjare – ato që mezi mbajnë veten gjallë mes taksave të larta dhe mungesës së mbështetjes – janë goditur nga ky aksion. Ndërkohë, resortet luksoze buzë detit, ndërtimet pa leje të oligarkëve dhe zaptimet e mëdha në mes të Tiranës duket se nuk e shqetësojnë askënd në qeveri.
Ky nuk është aksion për hapësirat publike. Ky është një aksion që ka zgjedhur viktimat më të lehta – ata që s’kanë lidhje me pushtetin, ata që s’kanë miq në qeveri, ata që protestojnë, por nuk dëgjohen. A është rastësi që ky “rregullim” ndodh në mes të verës, kur fluksi turistik është në kulm dhe fitimet e vogla të bizneseve janë jetike?
Rama nuk po “çliron” hapësirat publike. Ai po i boshatis ato nga zërat kritikë, nga bizneset e pavarura dhe nga çdo lloj aktiviteti që nuk është në linjë me interesat klienteliste të qeverisë. Shteti i së drejtës nuk ndërtohet me paralajmërime si kërcënime dhe me aksione që kanë më shumë shije hakmarrjeje se reforme.
Në fund, qyteti mund të duket më i pastër – por më i pastër për kë? Dhe më i zbrazët nga kush?

















