Aktivisti australian do të ecë 727 kilometra për Palestinën

Aktivisti australian John Salisbury ka filluar marshimin prej 727 kilometrash në mes të qyteteve Melbourne-Adelaide për njohjen e Palestinës nga Australia.

Aktivisti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Salisbury, i cili ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në Melbourne “Vrapo për të Drejtat e Njeriut të Palestinezëve”, sot nga qyteti Melbourne u nis për në qytetin Adelaide.

Salisbury distancën prej 727 kilometrash mes këtyre dy qyteteve do ta marshojë gjatë 1 muaji. Në një prononcim për AA, Salisbury tha se synon që këtë marshim ta përfundojë më 16 dhjetor përpara Qendrës së Kongresit në Adelaide, e cila do të jetë nikoqire e Konferencës Kombëtare ku do të diskutohet për vendosjen e çështjes së njohjes së Palestinës në rregulloren e Partisë së Punës në opozitë.

Salisbury tha se shpreson që Partia e Punës do të përvetësojë njohjen e Palestinës si një politikë të kësaj partie.

“Duhet t’i mbështesim palestinezët”

Ai tha se deklarata e kryeministrit të Australisë Scott Morrison për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Kuds është gabim. “Kjo është një gjë që e kërkojnë izraelitët, është një rrugë plotësisht e gabuar e cila nuk do t’i ndihmojë kauzës palestineze. Ajo që duhet të bëjmë është që t’ia dërgojmë Izraelit mesazhin se nuk mund të kenë gjithçka që duan. Palestinezët e meritojnë një vend që u takon atyre dhe ne duhet t’i mbështesim ata në përpjekjet e tyre. Sepse palestinezët po vuajnë për një kohë të gjatë”, tha Salisbury.

Nëse Partia e Punës e përvetëson çështjen e njohjes së Palestinës si politikë partiake dhe fiton zgjedhjet që do të mbahen në muajin maj të vitit 2019, atëherë sipas Salisbury kjo do të hapë rrugën për njohjen e Palestinës si shtet.

Aktivisti Salisbury më parë ka ecur në mes të qyteteve Sydney-Canberra në një distancë prej 286 kilometrash për njohjen e Palestinës nga Australia./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne