Aktiviteti amerikan në Detin e Kinës Jugore shkakton tensione të reja

Aktivitetet e fundit të ushtrisë amerikane në Detin e Kinës së Jugut kanë shkaktuar reagimin e ushtrisë kineze, e cila i ka përshkruar këto aktivitete si “provokuese”, thuhet në raportimin e mediave lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Anija ushtarake amerikane USS Wayne E. Meyer ishte duke patrulluar të mërkurën pranë shkëmbinjve të kontestueshëm të pretenduar nga Kina në Detin e Kinës Jugore.

Zëdhënësi i ushtrisë kineze Li Huamin, akuzoi SHBA-të se “po vepronin si hegjemoni duke mos pasur njohuri për ligjet dhe rregullat ndërkombëtare”, njoftoi South China Morning Post.

Ai i bëri thirrje Washingtonit që të “ndërpresë me veprimet e tija provokuese” për të shmangur një “incident të paparashikueshëm”.

Raportimet thonë se anija amerikane lundroi brenda 12 miljeve detare nga Fiery Cross dhe Mischief, dy ishujt më të mëdhenj artificial të Kinës në zonën e kontestueshme të ishujve Spratly.

Kina ka pretendime të mëdha në Detin e Kinës Jugore, të pasur me resurse, dhe rajoni ka qenë dëshmitar i shumë tensioneve në të kaluarën.

Sipas raportimeve, kjo ishte hera e parë që një anije luftarake amerikane sfidoi dy kampe ushtarake kineze njëherësh, ndërsa thuhet se gjatë incidentit në afërsi kishte edhe anije tjera luftarake amerikane.

Forcat detare dhe ajrore kineze kanë ndjekur, identifikuar, monitoruar, paralajmëruar dhe kanë dëbuar anijet luftarake amerikane, thuhet në raportimin e mediave duke cituar zyrtarin ushtarak.

“Forcat tona do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe sigurinë kombëtare dhe do të ruajnë me vendosmëri paqen dhe stabilitetin në Detin e Kinës Jugore”, shtoi Li.

Megjithatë, zëdhënësi i Flotës së 7-të të SHBA-ve, Reann Mommsen, tha: “Të gjitha operacionet janë hartuar në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe demonstrojnë se Shtetet e Bashkuara do të fluturojnë, lundrojnë dhe do të operojnë çfarëdo që lejojnë ligjet ndërkombëtar”, thuhet në raportim.

Pretendimet konkurruese për sovranitetin territorial mbi ishujt dhe pjesët më të vogla në Detin e Kinës Jugore kanë qenë burim i tensionit dhe mosbesimit në rajon.

Përderisa mosmarrëveshjet mbi Detin e Kinës Jugore përshkallëzoheshin dita ditës, bashkësia ndërkombëtare ndërmori disa hapa për të arritur një zgjidhje. Organizata e Kombeve të Bashkuara përpiloi një ligj në vitin 1982 për shkak të krijimit të një kornize ligjore për të balancuar interesat ekonomike dhe të sigurisë së shteteve bregdetare.

Konventa e OKB-së për Ligjin për Detin (UNCLOS), e cila hyri në fuqi në vitin 1994, parashikon një zonë prej 200 miljeve detare për të ushtruar vetëm të drejtat e shfrytëzimit të resurseve detare nga shtetet bregdetare.

Megjithatë, zona që zyrtarisht quhet Zona Ekskluzive Ekonomike, asnjëherë nuk ishte menduar të shërbente si zonë sigurie dhe UNCLOS gjithashtu garanton të drejta të gjera të lundrimit për anijet dhe avionët ushtarakë.

Pavarësisht se është nënshkruar dhe ratifikuar nga të gjitha vendet e rajonit, interpretimi i UNCLOS në Detin e Kinës Jugore është akoma i kontestueshëm./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne