Deputeti demokrat Ervin Salianji ka zbuluar detaje nga puna e komisionit hetimor për të dhënat e sistemit TIMS gjatë raportimit të tij në Kuvend.
Salianji zbuloi se ish-drejtuesi i departamentit të IT, Ervin Muça ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike të pretenduara nga hakerët iranianë.
Ai shtoi se si rezultat i këtyre dy sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi i tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online dhe janë të aksesueshme nga ata që kanë interes, nga krimi i organizuar te shtetet jomiqësore.
Salianji tregoi më tej se Muça ka dëshmuar për raste të tjera të prekjes së të dhënave edhe në Policinë e Shtetit.
Ai ka zbuluar se këto sulme kibernetike janë justifikuar nga drejtues të Ministrisë së Brendshme si vepra të hakerëve iranianë, por sipas Ervin Muçës dhe gjetjeve të komisionit hetimor kjo nuk është e vërtetë.