Alarm/ Zyrat e shtetit në aeroporte e porte të pushtuara nga kriminelë dhe trafikantë ndërkombëtarë

Shumë herë është shkruajtur se trafikantët dhe kriminelët lëvizin lirisht në vendet e Europës, anëtare të BE, me pasaporta diplomatike e shërbimi dhe kjo nuk është gjë e re.

Por tashmë ata kanë futur në “dorë” dokumente pune, duke qënë pjesë fiktive të të punësuarve, sidomos në portet kryesore të vendit si dhe në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.

Madje shfaqen me dokumentin e punonjësit tatimor, doganor, shëndetësor, të AKU dhe të institucioneve të tjera kontrolluese, duke hyrë e dalë nëpër pikat e kalimit kufitar dhe doganor si kontrollorë të mirëfilltë të shtetit.

Me këtë “dokument zyrtar” në dorë ata hyjnë dhe dalin sipa dëshirës në porte dhe aeroporte, duke u bërë në këtë mënyrë dhe kontrollorët, “kallauzët” e pritësit e kokainës, heroinës dhe të gjithë elementëve të kontrabandës në Shqipëri, pa u hyrë “ferrë” në këmbë.

Një skandal i tillë u nxor në dritën e diellit, nga zbardhja e një operacioni në portin e Durrësit, ku njerëz të trafikut të drogërave të rënda dhe të krimit në tërësi lëviznin lirshëm, duke hyrë e dalë pa pengesë, pasi më parë kishin siguruar një dokument si punonjës aty.

Pikërisht këta “punonjës” janë të parët që bëjnë kontrollin e mallrave të dyshimta, kamionëve e kontenierëve që vijnë nga jashtë, duke bërë “selektimin” e tyre dhe duke shmangur kontrollet e tjera, si dhe lejuar që malli të shkojë në destinacion.

Burime nga organet ligjzbatuese saktësojnë se në të gjitha rastet kur ka pasur lëvizje të drogërave të rënda në portin e Durrësit, kanë qënë pikërisht këta trafikantë dhe kriminelë të pajisur me dokumente zyrtare ata që kanë bërë të parët kontrollin e mallrave që kanë hyrë nga jashtë.

Më evident ka qënë rasti i kontrollit të 92 kilogramëve kokainë të ardhur në portin e Durrësit nga Kolumbia, në kontenierët e “bananeve” të Arbër Kuliçit (Çekajt) apo dhe të 613 kilogramëve kokainë të ardhur po për Kuliçin e vogël, me kontenierët e bananeve.

Ndonëse në rastin e fundit, atë të 613 kilogramëve kokainë organet ligjzbatuese kishin ngritur “kurthin” për ta bllokuar, kanë qënë këta “punonjës” të cilët e kanë lidhjen deri në “kupolën” e lartë politike, lajmëruan pritësit e vërtetë, duke garantuar paprekshmërinë e tyre.

Ndërkohë që këtë “mision” e kanë vijuar në ditët dhe muajt në vijim, teksa personat me precedentë kriminalë si trafikantë droge, prostitutash dhe kriminelë, kanë pasur dhe kanë liri të plotë veprimi në portin e Durrësit, Shëngjinit, Sarandës e Vlorës, ku kontrollojnë mallin që vjen kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori.

Këtë e verteton dhe rasti i para disa ditëve, kur kanë qënë pikërisht ata që kanë kontrolluar 137 kilogramë kokainë të ardhur nga vendet e Amerikës Latine. Ndërkohë që me këtë skemë është bërë dhe kontrolli i 3.4 milionë eurove të ardhura nga jashtë me “Tayota Yaris”.

Policia e shtetit dhe organi i akuzës kanë bërë me dije se një “kontrollor” i tillë ka qënë dhe Edison Harizaj, i vrarë një vit më parë, i cili dispononte një dokument zyrtar me firmë dhe vulë si punonjës i portit të Durrësit.

Edhe pse nuk paguhej nga shteti, Edison Harizaj kontrollonte gjithë aktivitetin kriminal, pasi siguronte daljen e mallit për llogari të rrjetit të drogës që vetë ai drejtonte nga Durrësi e deri në Fier, Elbasan e Vlorë.

Dhe në Aeroportin “Nënë Tereza” ndodh e njëjta gjë, ku persona pa asnjë lidhje, pa qenë punonjës, hyjnë dhe dalin lirisht, pa u penguar nga askush, dhe prej atje kontrollojnë trafiqet.

Nuk ka qënë rastësi që u grabit makina e blinduar e transportit të parave të një banke të nivelit të dytë vitin e kaluar, ku kontrollorët dhe “kallauzët” në aeroport kanë qënë ata që kanë drejtuar realisht operacionin, të cilët të mbrojtur nga dokumenti zyrtar që vertetonte se janë punonjës aty, kanë kontrolluar lëvizjet e makinës me para dhe vendndodhjen e policisë.

Kjo ka vënë në alarm organet ligjzbatuese, pasi nuk dihet numri i saktë i trafikantëve dhe kriminelëve të pajisur me dokumentin zyrtar që verteton se janë punonjës portesh e aeroportesh, por që në të vërtetë kontrollojnë lëvizjen e drogës dhe parave në këto pika të kalimit kufitar.

Për këtë arsye ka filluar “krehja” e të gjithë administratës dhe punonjësve në porte dhe aeroporte, duke verifikuar një për një të gjithë ata që janë të punësuar aty e duke ndjekur përmes kamerave të sigurisë lëvizjet e tyre në momentet e trafikimit të drogës dhe elementë të tjerë kriminalë./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne