Komiteti Kushtetues Sirian synon të përqendrohet në pika të përbashkëta e jo në dallime

Bashkëkryesusi i delegacionit të opozitarëve të Komitetit Kushtetues Sirian, Hadi Al-Bahra, bëri të ditur që synojnë të përqendrohen në pika të përbashkëta e jo në dallime.

Bëhet e ditur se përfundoi mbledhja inauguruese e Komitetit Kushtetues Sirian të mbajtur në Gjenevë të Zvicrës. Në mbledhje, ku fjalën e hapjes e bëri Përfaqësuesi Special i OKB-së për Sirinë, Geir O. Pedersen, fjalën e morën edhe bashkëkryesuesit e Komitetit, Ahmed Kuzbari dhe Hadi Al-Bahra.

Bashkëkryesuesi opozitar i Komitetit, Hadi Al-Bahra theksoi se negociatat e zhvilluara deri më tani nuk kanë qenë të suksesshme, populli sirianë është dëshpëruar dhe se tragjedia në vend po vazhdon 8 vjet.

“Sot jemi këtu sepse shpresojmë të arrijmë atë që nuk kemi arritur në të kaluarën”, bëri të ditur Bahra dhe vijoi me këto fjalë: “150 persona kanë shumë dallime. Disa prej tyre janë çështje të thjeshta dhe disa të rëndësishme. Pas 8 vitesh të dhimbshme, kemi ardhur këtu me vendosmëri për t’u përqendruar në pika të përbashkëta e jo në dallime”.

Bahra theksoi se kanë hapur një faqe të re dhe tha se “Të gjitha palët në Siri duhet t’i lirojnë të burgosurit dhe duhet të respektojnë të drejtën për të hetuar fatin e të zhdukurve dhe të zhdukurve me forcë dhe të familjeve”.

Ai rikujtoi se janë të obliguar që sipas rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së brenda 6 muajve të hartojnë kushtetutën e re, ndërsa brenda 18 muajve të organizojnë zgjedhje të lira dhe të drejta, ndërsa tha se “Kujtimi për 1 milionë viktima duhet ta ndriçojë rrugën tonë drejt daljes nga tuneli, ndërsa miliona sirianë, të cilët presin me mall për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, duhen të jenë udhëtregues i jonë”.

Edhe Ahmed Kuzbari, bashkëkryesuesi i Komitetit Kushtetues Sirian dhe përfaqësuesi i regjimit të Esadittha se këtu ndodhen për të bërë më të mirën.

Kuzbari deklaroi se ekzistojnë 4 parime themelore: “Pavarësia, uniteti, integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit”.

Duke vënë në dukje se “Do t’i plotësojnë pritjet e popullit duke i qëndruar besnik çdo pike gjaku të derdhur”, Kuzbari theksoi se ata janë të gatshëm edhe për të hartuar kushtetutën e re edhe për t’i bërë një revizion kushtetutës së vjetër.

Ai gjithashtu shtoi se nuk do të tolerojnë ndërhyrje nga jashtë dhe nuk do të pranojnë asnjë parakusht, ndërsa falënderoi palët që kontribuuan në procesin e Astanës dhe të Soçit, të cilat mundësuan takimin e sotëm.

Takimet e Komitetit Kushtetues do të vazhdojnë me pjesëmarrjen e 150 personave për 2 ditët e ardhshme me seancat e kryesuara nga Pedersen, më pas pritet që Komiteti të vazhdojë me punime për një javë në Gjenevë me pjesëmarrjen e vetëm 45 anëtarëve të bordit të hartimit të kushtetutës./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne