Një status i publikuar nga Evi Kokalari në rrjetin social Facebook ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Me thirrjen “Make Albania CHRISTIAN Again!!”, Kokalari shfaqet duke komentuar një postim tjetër që përmban një fotografi nga Vatikani, ku Papa shfaqet i shtrirë në një akt përulësie fetare.
Thirrja e saj ka ngjallur reagime të menjëhershme, veçanërisht nga aktivisti dhe publicisti Alban Çuli, i cili në një reagim publik e ka cilësuar deklaratën e Kokalari si “shoviniste dhe revanshiste”, duke paralajmëruar se ajo përbën “kërcënim të sigurisë kombëtare”.
“Thirrja për rikristianizimin e Shqipërisë është një nxitje për përçarje ndërfetare dhe legjitimon dhunën ‘shpëtuese’ ndaj komuniteteve jo të krishtera,” u shpreh Çuli. Ai ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve shtetërore – përfshirë gjykatat dhe prokurorinë – për të frenuar atë që ai e quan “kristiano-centrizëm me tendenca diskriminuese dhe përjashtuese”.
Shqipëria është një vend me traditë të gjatë të bashkëjetesës fetare dhe tolerancës ndërkonfesionale, e njohur edhe ndërkombëtarisht për këtë model. Kjo deklaratë ka ngritur shqetësime se retorika e tillë mund të minojë themelet e këtij ekuilibri të ndjeshëm social./gazetaimpakt

















