Alarmohet Evropa, për shkak të dorëheqjes së Sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis

Reagime të shumta nga Evropa kanë ardhur pas dorëheqjes së Sekretarit të Mbrotjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Mattis. Në reagimet e shteteve të ndryshme vërehet panikë dhe brengosje. Dorëheqja e Mattisit erdhi pasi Trumpi njoftoi për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.

Në Evropë, dorëheqja e tij po shihet si alarm sepse është shenjë se Trumpi po dëshiron ta marrë politikën e jashtme në duart e veta. Në letrën e tij të dorëheqjes theksohej edhe trajtimi më i mirë i aleatëve dhe Evropa e di shumë mirë se çka nënkuptohet me këtë, duke qenë viktimë e fyerjeve dhe tekeve të Trumpit kohëve të fundit. Dorëheqja e Mattissit, për më tepër, e paraqet edhe dallimin e madh të pikëpamjeve të Trumpit me partinë e vet lidhur me rolin e SHBA-së në Evropë dhe Lindje të Mesme.

Ministri britanik për Lindje të Mesme, Alistair Burt, tha se nëse aleatët nuk mund të mbështeten në njëri-tjetrin, duhet të kërkohen aleatë të tjerë për ta zënë vendin e tyre. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara ka thënë se forcat ajrore të vendit të saj janë aktive në Siri dhe se mposhtja e plotë e ISIS-it është ende larg.

Edhe Gjermania, e cila do të përfitonte shumë nga arritja e një marrëveshjeje në Siri me kthimin e refugjatëve në atdhe, është deklaruar se ISIS-i mbetet kërcënim për sigurinë. “ISIS-i është detyruar të tërhiqet por kërcënimi nuk ka marrë fund. Ka rrezik që vendimi i Trumpit do t’i dëmtojë luftimet kundër ISIS-it dhe ta rrezikojë atë që është arritur”, deklaroi ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, shkruan “The Guardian”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne