Alija, një shpresë për Islamin në periudhën e regresit

nga Kudret Bulbul.

Shekulli 20. ishte një periudhë kur erërat frynin në drejtim të kundërt, kur tokat islame pushtoheshin një nga një, kur vdekja, shtypja e dhuna/detyrimi ishin një makth i vërtetë për myslimanët. Në një qindvjeçar të tillë, Alija Izetbegoviçi ishte një prej emrave të rrallë që kishte dhuntinë për t’u paraqitur njerëzve bukurinë e qytetërimit të tij, si një luleborë në mes të dimrit të acartë. Ai ishte një lider që të gjithë jetën e tij ia kushtoi sfidës së vështirë për të provuar se zgjidhja është në mendimin islam, në një shekull kur filozofia islame s’ishte pothuajse aspak një alternativë.

Vitet e para të rinisë dhe burgimit: “Myslimanët e Rinj”

Alija Izetbegoviçi erdhi në jetë më 1925-n. Babai i tij quhej Mustafa dhe e ëma Hiba, ndërsa gjyshi i tij, prej të cilit ka trashëguar emrin, ishte ushtar në Yskydar të Stambollit, ku u njoh dhe martua me vajzën turke, Sidika Hanëme. Mbase kjo është edhe arsyeja pse unë ndjej shumë gjëra të ngjashme tek Alija dhe Yskydari, një prej lagjeve historike më të paprekura të Stambollit: Një ngopje, pjekuri, urtësi dhe hijeshi që del e vjen nga thellësitë e historisë.

Vitet në të cilat ai hapi sytë në jetë dhe kaloi fillimet e rinisë së tij, ishin ndoshta ato më të trazuarat e historisë botërore. Ishin vitet e para pas Luftës I Botërore dhe ato të shpërthimit të Luftës II Botërore. Ishte koha më e vështirë, më e pamëshirshme për myslimanët në përgjithësi dhe myslimanët ballkanas në veçanti. Triumfues pas Luftës II Botërore doli Perëndimi, i cili mposhti pjellën e tij nazifashiste dhe Rusinë komuniste nën drejtimin e Stalinit. Me regresin dhe rënien e Shtetit Osman, Islami s’ka qenë më një alternativë sidomos në Ballkan për gati 200 vjet. Ja pra, në një klimë të tillë, Alija dhe shokët e tij gjimnazistë fillojnë Lëvizjen e Myslimanëve të Rinj (Mladi Muslimani). Kjo shoqatë/lëvizje në njërën anë përpiqej të ndërtonte një vetëdije islame në mesin e anëtarëve të saj dhe në anën tjetër orvatej të mjekonte plagët e luftës. Por këto përpjekje s’mund të kapërdiheshin nga regjimi komunist dhe ateist i atyre trevave. Alija dënohet me 5 vjet heqje lirie (burg) që në lule të rinisë.

Alija ndëmjet Lindjes e Perëndimit

Pasi u lirua nga burgu, Alija vazhdoi sërish punën e tij mbi ato çfarë i konsideronte të dobishme për popullin e tij dhe mbarë njerëzimin. Ndërkohë që merrej me punët e përditshme, ai ishte gjithashtu në një luftë intelektuale për të kapërcyer shqetësimet ideologjike të epokës së tij. Vepra e tij kolosale e titulluar “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit” është një kritikë si për Lindjen ashtu edhe për Perëndimin, në kuadër të vizionit të gjerë islam të Alijas. Ai përshëndet dhe njëherësh kritikon zhvillimet pozitive në Perëndim: “Unë s’shkoj kokulur në Evropë. Sepse nuk kemi vrarë fëmijë, gra dhe pleq; sepse nuk kemi sulmuar asnjë vend të shenjtë. Ndërsa ata i bënë që të gjitha këto, madje i bënë përpara syve të Perëndimit dhe në emër të qytetërimit perëndimor…”

Sipas Alijas, problemet themelore të botës islame janë përçarja, mungesa e arsimit dhe kontradikta ndërmjet të thënës e të bërës. Teksa nënvizon se “Islami për mua është emri i çdo gjëje të bukur dhe fisnike”, Alija bën një thirrje për të gjithë myslimanët që të ballafaqohet me vetveten: “Islami është më i miri, kjo është e vërtetë, por ne nuk jemi më të mirët. Këto janë dy gjëra të ndryshme që ne shpesh i ngatërrojmë.” Ai ofron edhe zgjidhjen: “Për të qenë mësues i Tokës duhet të jesh nxënës i Qiellit!”

Vitet e luftës…

Menjëherë përpara ricopëtimit të Ballkanit, Alija e gjen veten sërish pas hekurave për shkak të librit të tij me titull “Deklarata Islame”. Këtë herë ai dënohet me 14 vjet heqje lirie, por lirohet me amnisti në vitin 1988, pasi kishte vuajtur 5 vite në burg. Më 1990-n ai themelon Partinë e Aksionit Demokratik (SDA), fiton zgjedhjet dhe bëhet presidenti i parë i vendit të tij. Bosnjë-Hercegovina shpall pavarësinë në vitin 1992. Perëndimi, i cili kishte mbështetur më herët luftën për pavarësi të Kroacisë dhe Sllovenisë, me hipokrizinë e tij të përhershme, i braktis boshnjakët në vetmi përballë sulmeve serbe. Rezultati është qindra-mijëra të vrarë dhe të plagosur, mërgim, uri, gjakderdhje, vdekje, egërsi… Boshnjakët i janë nënshtruar një gjenocidi apo spastrimi etnik flagrant në mes të Evropës, në fund të shekullit 20. dhe përpara syve të gjithë njerëzimit.

Alija u bë një lider i njohur botërisht gjatë viteve të luftës. Pavarësisht skamjes dhe rrethimeve, ai i tregoi mbarë botës se si mund të bëhet një qëndresë në mënyrë njerëzore/myslimane, falë urtësisë së fituar nga mendimi islam dhe vuajtjet e shumta. Përgjigjet e tij ndaj reagimeve rebele të njerëzve që kërkonin hakmarrje për gratë, fëmijët dhe të moshuarit boshnjakë të masakruar nga serbët, janë si rregulla të arta të moralit të luftës:

“Borxhi ynë i vetëm karshi armiqve tanë është drejtësia.”

“Serbët nuk janë mësuesit tanë.”

“Luftën s’e humbasim kur mposhtemi, por kur u ngjajmë armiqve!”

Kur u pyet gjatë luftës nga një korrespondent gjerman se “cila ishte arsyeja që nuk urdhëruat hakmarrje ndaj kaq shumë mizorie, mos vallë qytetërimi perëndimor të cilit i përkisni”, Alija dha një përgjigje sikur donte të vinte në pah se sa shumë e kishte përvetësuar ai mendimin islam: “Këtë nuk ma lejon Libri, të cilit unë i besoj.”

Nëse sot idealet e Alijas janë të mangëta në Bosnjë, kjo jo sepse Alija apo idealet e tij ishin të pamjaftueshme, por sepse bota moderne e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm kaq mund ta toleronte një shoqëri islame dhe një shtet mysliman në mes të Evropës.

Trashëgimia e tij…

“Na varrosën në tokë, por nuk e dinin se jemi farë!” Këtë urtësi Alija mund ta ketë thënë për Ballkanin, por kjo thënie mbart brenda saj edhe historinë 200-vjeçare të myslimanëve. Në periudhën 200-vjeçare të regresit dhe tërheqjes, fatkeqësisht, nuk patëm shumë liderë që mund të filizonin si lulebora në mes të dimrit të acartë. Siç jemi shprehur edhe në artikullin tonë me titull “Si të pozicionohemi në raport me Perëndimin?”, një rrugëzgjidhje mund të paraqesin vetëm liderët me vetëbesim apo botëkuptimet që ofrojnë qasje në mënyrë analitike, pa refuzuar tjetrën, pa iu dorëzuar psikologjisë së humbjes dhe në kuadër të normave të përgjithshme të vlerave që ne zotërojmë. Edhe Alija, sikurse Said Halimi, Muhamed Ikbali, Mehmet Akifi apo Rashid al-Ganushi, është një prej emrave të rrallë që e bëjnë intelektin shekullor të flasë për Islamin dhe që përqendrohen në mesazhin, të cilin Islami u përcjell njerëzve në këtë epokë.

Liderët që bëjnë gabime të njëpasnjëshme dhe nuk janë në gjendje të japin mesazhe të holla kur janë në kushte të vështira, nën presion dhe mizori; vizioni i të cilëve s’ka forcë të shkojë përtej klanit, popullit dhe vendit të tij, nuk mund të kenë shumë për t’u ofruar shoqërive të tyre. Myslimanët në veçanti dhe bota në përgjithësi kanë shumë nevojë për liderë si Alija Izetbegoviçi, i cili e kërkonte drejtësinë në çdo rrethanë dhe dinte të fliste jo me urrejtje, por me ngopjen, pjekurinë, urtësinë, arsyen dhe hijeshinë e mendimit islam që zotëronte, pavarësisht se ishte persekutuar pothuajse gjatë tërë jetës së tij.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne