Ambasada e Turqisë në Tiranë: “Jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri”

Me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, ambasada turke në Tiranë ka organizuar pritje solemne me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe personaliteteve shtetërore etj.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se edhe pas 100 vjetësh, Turqia është gati të qëndrojë me të njëjtën vendosmëri përballë çfarëdo lloj vështirësie apo rreziku që synon kombin dhe sigurinë kombëtare.

“Edhe me të gjitha përpjekjet tona, kërcënimi i terrorizmit me origjinë nga Siria nuk është ndaluar dhe gjithmonë si pikësynim ka pasur vendin tonë. Gjatë dy viteve të fundit, organizata terroriste PKK/YPG ka sulmuar Turqinë me qindra herë”, u shpreh Yörük, duke shtuar se operacioni ‘Burimi i Paqes’ ishte jashtëzakonisht i përpiktë për tërheqjen e organizatës terroriste PKK/YPG nga një zonë e sigurt prej 30 km nga kufijtë e Turqisë.

Ai tha se Turqia është në një rajon me fqinjë të paqëndrueshëm dhe me shumë sfida, duke shtuar se, “Ne i bëjmë ballë këtyre sfidave në një mënyrë të vendosur dhe parimore, të udhëhequr nga thënia e famshme e Mustafa Kemal Ataturkut: ‘Paqe në atdhe, Paqe në botë’ “.

Ambasadori Yörük theksoi se ndërsa festojnë 96-vjetorin e Republikës së Turqisë, gjithashtu festojnë 96-vjetorin e ‘Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Përjetshëm’ midis Turqisë dhe Shqipërisë.

“Jemi krenarë që jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri në shumë fusha strategjike si financa, telekomunikacioni, aviacioni civil, shëndetësia, minierat, industria, arsimi, energjia dhe infrastruktura. Jemi krenarë që jemi partneri i 3-të më i madh tregtar i Shqipërisë”, tha Yörük.

Ai theksoi se Shqipëria ka një rol kryesor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe se Turqia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne besojmë se një Shqipëri e fortë ekonomikisht dhe politikisht si anëtare e plotë e BE-së , është në interes të Turqisë, si dhe të Ballkanit dhe të Evropës”, u shpreh më tej ambasadori turk.

Ambasadori i Turqisë po ashtu theksoi se “ndërsa po përkujtojmë themeluesin e Republikës sonë Gazi Mustafa Kemal Ataturkun, bashkëluftëtarët e tij dhe të gjithë veteranët tanë, ne me respekt kujtojmë gjithashtu dhe dëshmorët tanë që humbën jetën duke mbrojtur vendin tonë, duke luftuar kundër organizatave terroriste dhe duke i rezistuar përpjekjes së pabesë të grushtit të shtetit 15 Korrikut nga organizata terroriste gyleniste”.

Turqia si pjesë e G20 është një ndër 6 ekonomitë më të konsoliduar evropiane, theksoi ambasadori Murat Ahmet Yörük./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne