Ambasadori i Palestinës në Ankara: Populli palestinez nuk do të shkatërrohet

Ambasadori palestinez në Ankara, Faed Mustafa, tha se është koha për t’i thënë ndal Izraelit, i cili po sulmon territoret e tyre, praninë e tyre dhe të ardhmen e tyre, dhe se populli palestinez nuk do të shkatërrohet.

Në ​​një deklaratë me titull “Mesazh i popullit palestinez me rastin e 29 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez”, Mustafa theksoi se kjo ditë shënohet nga viti 1977 me një rezolutë të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe se rezoluta e njohu Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së si përgjegjëse për vendimin për ndarjen e Palestinës më 29 nëntor 1947 dhe pasojat që lindën prej tij.

“Populli palestinez ka përjetuar vuajtje të ndryshme për mbi 72 vjet. Populli ynë ka vuajtur, sakrifikuar, ka humbur territoret, luftuar, dhënë dëshmorë dhe është arrestuar për mbrojtjen e historisë së tij, atdheut dhe gjërave të shenjta”, tha Mustafa, duke shtuar se përkundër gjithë kësaj, populli palestinez e vazhdoi rrugën e tij.

Ai theksoi se si popull palestinez, i kanë pranuar negociatat që do të çonin në pavarësi dhe një marrëveshje paqeje që do t’i jepte fund pushtimit dhe kanë pranuar çështjet politike dhe rezistencën civile.

“Izraeli pushtues ka vazhduar zvarritjen që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993 dhe kryeministri aktual i qeverisë izraelite ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ai kundërshton zgjidhjen me dy shtete. Ata vazhduan të aneksojnë territoret tona të okupuara dhe të vendosen atje. Kanë bërë gjithçka për të ndryshuar identitetin dhe statusin e kryeqytetit tonë Kuds, miratuan ligje fashiste, ndërsa me bllokadën që po zbatojnë në Gaza, izoluan Gazën nga territoret e tjera të atdheut dhe botës. Ata kanë sabotuar ekonominë tonë dhe kanë shkelur të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në fushat e politikës, ekonomisë dhe sigurisë”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, administrata amerikane nën Donald Trump ka vazhduar të shkelë ligjin ndërkombëtar në vitet e fundit, duke treguar kështu edhe një herë se nuk është një ndërmjetës i mirë.

Ai tha se administrata amerikane e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit, zhvendosi ambasadën e saj në Kuds dhe i dërgoi një “sinjal të gjelbër” Izraelit për të aneksuar më shumë territore palestineze.

Mustafa kujtoi se Sekretari amerikan i Shtetit kishte deklaruar kohë më parë se vendbanimet kolone në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin, nuk janë kundër ligjit ndërkombëtar.

“Kjo deklaratë është e paligjshme dhe është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat ndërkombëtare mbi legjitimitetin, mbi të gjitha Rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Deklaratat, vendimet dhe veprimet e tilla nga Shtetet e Bashkuara inkurajojnë qeverinë Izraelite të vazhdojë okupimin, të rrisë aktivitetet e saj të vendbanimeve kolone dhe të kryejë krime që sipas së Drejtës Romake dhe rezolutave të legjitimitetit ndërkombëtar konsiderohen vrasje”, tha Mustafa, duke falënderuar të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare që e kanë hedhur poshtë dhe dënuar këtë deklaratë dhe vendbanimet kolone.

“Vendbanimet kolone janë haptazi kundër së drejtës ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare është baza e sistemit ndërkombëtar. Nuk mund të pranohet standard i dyfishtë dhe manipulim. Është koha t’i themi ndal Izraelit, i cili po sulmon territoret tona, praninë dhe të ardhmen tonë. Është koha të bëhen hapa praktikë që populli palestinez të formojë një shtet të pavarur në territoret e pushtuara në vitin 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytetin e tij. Është koha që vendet që besojnë në një zgjidhje me dy shtete, siç e kanë njohur Izraelin, ta njohin një shtet palestinez me kufijt e vitit 1967 dhe me kryeqytet Kudsin Lindor”, deklaroi ambasadori palestinez.

“Populli palestinez nuk do të shkatërrohet”

Mustafa theksoi se pavarësisht nga të gjitha dhimbjet dhe vuajtjet, synojnë një paqe të drejtë bazuar në një zgjidhje me dy shtete me kufijt e vitit 1967 dhe legjitimitet ndërkombëtar.

“Shteti palestinez do të vazhdojë të marrë pjesë në të gjitha nismat që mbështesin sovranitetin e së drejtës ndërkombëtare. Përpjekjet tona për të bashkuar territoret dhe popullin tonë do të vazhdojnë. Do ta bëjmë këtë me zgjedhjet që duam të organizojmë në muajt e ardhshëm. Në atë mënyrë, do të ketë një administratë të vetme, një ligj të vetëm dhe një armë të vetme legjitime”, tha Mustafa.

“Populli palestinez nuk do të shkatërrohet, nuk do të pranojë dhimbje dhe mizori. Do të vazhdojë rezistencën legjitime kundër pushtimit imperialist, i cili shënjestron të drejtat tona, përfshirë territoret tona, njerëzit tanë dhe përcaktimin e së ardhmes sonë. Ai nuk do të heqë dorë nga kultura e paqes dhe tolerancës. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë territoret tona dhe vendet e shenjta, veçanërisht Xhaminë Al-Aksa dhe Kudsin tonë”, tha ai, duke falenderuar të gjitha shtetet, qeveritë, organizatat dhe popujt që kanë shprehur solidaritet me popullin palestinez me rastin me rastin 29 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.

“Falënderojmë Republikën e Turqisë, veçanërisht presidentin Recep Tayyip Erdoğan, për mbështetjen e tij të fortë për të drejtën e popullit palestinez për liri dhe pavarësi. Unë gjithashtu falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme, Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), partitë politike, organizatat joqeveritare, si dhe popullin turk për shprehjen e solidaritetit me çështjen e drejtë të popullit tonë”, deklaroi ambasadori palestinez në Ankara, Faed Mustafa./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne