Ambasadori në largim i Turqisë në Mal të Zi u takua me zyrtarët më të lartë shtetërorë të vendit

Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi Serhat Galip në prag të përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Mal të Zi u takua me zyrtarët më të lartë shtetërorë të vendit. Fillimisht z. Galip pati një takim me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, ku u theksua se dy shtetet në vazhdimësi kanë zhvilluar marrëdhënie miqësore veçmas në planin ekonomik, ku është shënuar një avancim i dukshëm gjatë mandatit të Ambasadorit Galip. Kryetari Brajoviq rikujtoi se në Turqi jeton një numër madh i banorëve që kanë prejardhje nga Mali i Zi, të cilët paraqesin urë lidhëse për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. Ambasadori Serhat Galip falënderoi kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi për përkrahjen e vazhdueshme, që i ka dhënë gjatë misionit të tij diplomatik duke shtuar se Mali i Zi për shumë çka është model jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe tërë Evropën. Ai po ashtu ka shprehur kënaqësi që shkëmbimi i mallrave shënon rritje të vazhdueshme dhe që Turqia është vendi i tretë për sa i përket investimeve në Mal të Zi. Në takim u fol po ashtu edhe për stabilitetin e rajonit dhe proceset e Integrimeve Evropiane. Gjithashtu Ambasadori Serhat Galip është pritur në takim edhe nga Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Ambasadori Galip, avancim i suksesshëm i marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe Turqisë

Ambasadori në largim Serhat Galip u takua po ashtu edhe me zëvendëskryeministrat Zoran Pazhin dhe Rafet Husoviq. Në të dy këto takime u veçua bashkëpunimi i shkëlqyer midis Malit të Zi dhe Turqisë dhe kontributi i z. Galip gjatë misionit të tij këtu në thellimin e këtyre marrëdhënieve si dhe kontributi i pakursyer i Turqisë gjatë procesit të integrimit të Malit të Zi në NATO. Përndryshe Ambasadori Galip ka kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera edhe me shqiptarët në Mal të Zi. Ai ka pasur takime të shpeshta me përfaqësuesit politikë, fetarë, kulturorë, media dhe po thuajse me çdo institucion që ka të bëjë me jetën e shqiptarëve në Mal të Zi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne