Ambasadorja e SHBA-së me skaf në Durrës, Guardia di Finanza demonstron si luftohet krimi

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim ka zhvilluar sot një vizitë pranë Njësisë Detare të Guardia di Finanza-s në Shqipëri në Durrës. Ambasadorja është pritur nga Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci. Ambasada italiane thotë se vizita e sotme u zhvillua me synim informimin mbi aktivitetet e Misionit në Shqipëri dhe vijoi më pas me një stimulim në det me mjete lundruese të Guardia di Finanza-s. Ambasadorja vizitoi edhe sallën operative të Autoritetit Portual në Durrës, në prani të Drejtorit Pirro Vengu.

Zyra Ndërlidhëse e Policisë Interforcë në Shqipëri, në kuadër të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, garanton shkëmbimin e nevojshëm të informacionit midis Policisë së Shtetit shqiptar dhe Policive italiane lidhur me identifikimin dhe ndalimin e personave në kërkim, luftën ndaj trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, luftën kundër terrorizmit, atë ndaj krimit të organizuar. Të shumta kanë qenë rezultatet e arritura edhe nga Skuadrat e Përbashkëta Hetimore (Joint Investigations Team) si, për shembull: operacionet Fiori di Primavera, Sottosopra, Kulmi dhe Shefi. Në dy vitet e fundit, ndër veprimtaritë e tjera të zhvilluara, janë lokalizuar dhe arrestuar për llogari të Autoriteteve Gjyqësore Italiane gjashtëdhjetë e pesë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2018 dhe njëqind e një të tillë në vitin 2019. Në të njëjtën periudhë janë zhvilluar, gjithashtu, më shumë se dhjetë Operacione të Përbashkëta Itali–Shqipëri, në kuadër të të cilave janë ndaluar të kërkuar të rrezikshëm (Operacioni Boca 2015; Operacioni Magma; Operacioni The Transporter).

NUFROM-i i Guardia di Finanza-s, i pranishëm në Shqipëri prej vitit 1997 me zyrë Qendrore në Durrës dhe me një Qendër në Vlorë, zhvillon veprimtari asistence, këshillimore dhe formimi për Policinë e Shtetit shqiptar në fushën specifike të luftës kundër trafiqeve të paligjshme në det. Në këtë kontekst, shkëmbimi në kohën e duhur i informacionit midis Nufrom-it të Durrësit, UCI-t nëpërmjet Oficerit IMOC, Policisë së Shtetit shqiptar dhe Reparteve detare të Guardia di Finanza-s në Itali, ka lejuar identifikimin dhe bllokimin e mjeteve të fuqishme detare të përgatitura për trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Falë kësaj veprimtarie sinergjike të zhvilluar nga Forcat e Policisë italiane dhe shqiptare, janë arritur, në dy vitet e fundit, rezultate të konsiderueshme operative në fushën e trafiqeve të paligjshme në det.

Nufrom-i i Guardia di Finanza-s, kryen, gjithashtu, edhe veprimtari koordinimi logjistik-operativ në bazë të Protokollit Operativ të nënshkruar midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë shqiptare dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme në luftën kundër kultivimit të paligjshëm të kanabisit nëpërmjet një misioni të posaçëm të identifikimit ajror të nisur në maj të vitit 2012. Fushata që Guardia di Finanza po zhvillon edhe këtë vit është ende në vijim e sipër’ thuhet në njoftim.

Vizita e Ambasadores vijoi me një udhëtim me mjetet detare të Guardia di Finanza-s për të treguar mënyrën e zhvillimit të veprimtarive kundër krimit të organizuar në det të hapur. Ambasadori i Italisë në Tiranë Fabrizio Bucci, me rastin e prezantimit të veprimtarive të zhvilluara nga Italia kundër krimit të organizuar, deklaroi: “Të lumtur e të nderuar t’i tregonim sot Ambasadores Kim impenjimin italian në ndihmë të Qeverisë shqiptare në luftën kundërt krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Një impenjim konstant dhe gjithëpërfshirës i Italisë në shumë fusha, provë e prekshme e të cilit janë Misioni i Guardia di Finanza-s në Durrës e Vlorë dhe Zyra e Ndërlidhjes Interforcë e Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë (SCIP) pranë Ambasadës sonë. Italia e sheh me përparësi absolute bashkëpunimin dypalësh dhe atë ndërkombëtar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Kjo përparësi është maksimale në vendet mike e fqinje si Shqipëria dhe veprimtaritë tona zhvillohen gjithmonë në bashkëpunim të plotë me Vendet mike e aleate si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë vizitës Ambasadorja Kim theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Ambasadorja theksoi se si bashkëpunimi midis forcave të rendit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Italisë ka çuar në shumë operacione të suksesshme dhe deklaroi se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të vijojnë bashkëpunimin me Guardia di Finanza-n dhe me agjenci të tjera italiane në të ardhmen./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne