VIDEO/ “Jam zhytur në borxhe për të paguar qiranë”. Banorët e dëmtuar nga tërmeti në Rrushkull të Durrësit: Pa asnjë zgjidhje

Banorët e dëmtuar nga tërmeti në fshatin Rrushkull, Njësia Administrative Manzë të bashkisë Durrës vazhdojnë të sorollaten zyrave të shtetit pa marrë asnjë zgjidhje për banesat e tyre.

Përveç faktit që s’kanë ende asnjë shenjë zgjidhje për rindërtimin e shtëpive apo riparimet e dëmeve, zyrtarët lokalë po u kërkojnë dhe para për të bërë vlerësimet e dëmeve.

Rastet e ofertave të tilla korruptive ia denoncuan kreut të PD, Durrës, Ferdinand Xhaferraj, vetë qytetarët e dëmtuar që nga ana tjetër ngrenë duart lart pa zgjidhje për banesat dhe pa bonusin e qirasë.

Skënder Kaculi, banesa e të cilit është dëmtuar plotësisht tregon se prej 9 muajsh jeton me qira, por për shtëpinë nuk sheh dritë në fund të tunelit ndërsa borxhet për të paguar qiranë vetëm shtohen.

“Që në tërmetin e parë. Njoftova njësitë bashkiake, njoftova të gjithë. Erdhën e panë, asgjë fare hiç. Kurse në muajin nëntor më doli shtëpia e pabanueshme me DS4. Erdhën këta të tjerët e panë, asnjë gjë hiç fare. Jetoj me qira. Kam hyrë në borxh për të paguar qiranë e shtëpisë. Unë nuk e di si është kjo punë, nuk e di… Po abuzojnë më fatkeqësinë natyrore këta. Nuk e dinë se ku është shqiptari, ku është njerzilliku njeri që ku jeton ku banon, nuk e di të them.”

Fran Kola, një tjetër banor i Rrushkullit akuzon grupet e vlerësimit se kanë kërkuar para për t’i ndryshuar vlerësimin e dëmit që të rritej përfitimi. Ai thotë se do vetëm të marrë atë që i takon, pasi ka muaj që ka bërë gjithë dokumentet por deri tani s’ka marrë asnjë lek për riparimin e banesës dhe pikës së saldimit me të cilën mbante familjen.

“Këtu është kati i parë është biznes, erdhën inxhinierët e vlerësuan. Ata thanë na jep 100 mijë lekë se po e vlerësojmë DS3, DS4 si të duash, na jep paratë…. I thashë unë nuk dua me më ndihmuar gjë, absolutisht, vetëm aq sa është dëmtuar. Shifeni mirë, ju jeni specialistë edhe vlerësoni si të doni edhe unë jam dakort me një fjalë me këtë dëm që është bërë kjo shihet me sy. Nuk kërkoj absolutisht gjë që nuk më takon , për këto grantet e ndërtimit, për këto ndihmat e fukarenjve që u ka ndodh kjo fatkeqësi natyrore. Unë kërkoj vetëm atë që më takon.”/BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne