Brnabiç: Nuk pres ultimatum në Washington

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç shprehu sot pritjet se bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit në Washington do të jenë të vështira, por se nuk pret ultimatum.

Delegacioni i Beogradit, i udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ndodhet për vizitë në Washington deri më 5 shtator, gjatë të cilës do të organizohen bisedime me Prishtinën.

“Kemi shkuar me ekipin i cili është plotësisht i gatshëm të bisedojë për projekte ekonomike që do të çojnë në lidhje më të mira dhe normalizim të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Brnabiç.

Ajo rikujtoi se në rend dite janë temat ekonomike, siç janë projektet e infrastrukturës të tilla si fluturimi Beograd-Prishtinë dhe “autostrada e paqes”.

Kryeministrja serbe falënderoi SHBA-të për njohjen e iniciativës së “mini Shengenit” dhe shtoi se të gjithë nga rajoni janë të mirëpritur t’i bashkohen nismës.

“Pa një rajon të qetë dhe të qëndrueshëm nuk ka Serbi të prosperuar dhe të gjithë në rajon duhet ta kuptojnë se pa një rajon të qetë dhe të qëndrueshëm nuk ka prosperitet në Mal të Zi ose në BeH”, shtoi ajo.

Lidhur me rezultatet e zgjedhjeve në Mal të Zi dhe deklaratën e anëtarit të Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiç se pas zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi “u ngjall projekti serbomadh i cili kërkon të lidhë Beogradin, Banja Llukën dhe Podgoricën”, Brnabiç tha se Beogradi sigurisht që dëshiron të ndihmojë Banja Llukën, Podgoricën, Sarajevën dhe Tiranën, si të bëjë gjithçka për të lidhur rajonin.

“Ne nuk duhet të kërkojmë falje që kujdesemi për serbët në Mal të Zi dhe BeH. Ne nuk bëjmë asgjë që nuk kemi bërë tashmë në Serbi”, tha Brnabiç.

Ajo gjithashtu deklaroi se nuk e ka të qartë se cili është problemi i njerëzve se Beogradi kujdeset për serbët, pavarësisht nëse ata jetojnë në BeH, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut.

“Ne kështu sillemi edhe në shtëpinë tonë. Ajo që është e lejuar për ta nuk guxon assesi ndoshta të jetë e lejuar për Serbinë dhe serbët. Këto janë tjera probleme”, ka thënë Brnabiç./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne