Bota

Amerika pezullon ndihmën për Palestinën, parashtron se nuk ka lidhje me votimin në OKB

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se ka pezulluar për të ‘rishqyrtuar’ pjesën prej 65 milionë dollarësh të 125 milionë dollarëve që do ti jepen si ndihmë Palestinës.

Zëdhënësja e Departamentit, Heather Nauert në deklaratën e bërë në lidhje me këtë çështje në konferencën ditore për shtyp përdori fjalët: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar ndihmën prej 65 milionë dollarësh, që do ti jepej Palestinës”.

Ajo tha se kjo nuk nënkupton “anulim”.

“Ne si Amerikë presim që të bëhen disa ndryshime” u shpreh zëdhënësja Heather Nauert.

Ajo bëri të ditur se ndihma prej 65 milionë dollarësh është pezulluar por pjesa tjetër e ndihmës prej 60 milionë dollarësh do ti jepet Institucionit të OKB-së së Ndihmës për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

Nauert parashtroi gjithashtu se vendimi i marrë nga udhëheqja e Donald Trump nuk ka të bëjë me votimin për Jerusalemin në Kombet e Bashkuara.

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes së Nismës Kombëtare të Palestinës, Mustafa El-Bergusi dënoi vendimin në fjalë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke thënë: “Ky vendim i përngjan presioneve izraelite, që kanë për qëllim eliminimin e të drejtës së refugjatëve palestinezë për tu kthyer dhe përbën një kontekst të rrezikshëm politik”.

Ai tërhoqi vëmendjen se ky vendim kërcënon miliona refugjatë palestinezë, të cilët janë nxjerrë nga shtëpitë dhe atdheu i tyre me forcën e armës dhe i bëri thirrje shoqërisë ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara për të krijuar mekanizma të tjera për të kompensuar mangësitë që do të krijohen pas reduktimit të ndihmave në Institucionin e OKB-së së Ndihmës për Refugjatët Palestinezë./ trt