Koment: Marrëdhëniet Turqi-Kroaci dhe pasqyrimi i tyre në Bosnje-Hercegovinë

Nga Dr. Erhan Turbedar

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç ishte në Ankara për një vizitë zyrtare në 9 janar 2018. Në takimet e zhvilluara me Presidentin Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) u vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Kroaci dhe u qëndrua mbi temat rajonale dhe ndërkombëtare, që i interesojnë të dyja vendeve. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, kuptohet se është qëndruar në mënyrë të veçantë në dialogun boshnjak-kroat në Bosnje-Hercegovinë.

Turqia dhe Kroacia, prej një kohe të gjatë, vazhdojnë marrëdhënie miqësore mes tyre. Ndërmjet dy vendeve, jo vetëm që nuk ka asnjë problem politik, por edhe autoritetet shtetërore të dy vendeve tregojnë një kujdes reciprok për të ruajtur marrëdhëniet e mira.

Në gjysmën e parë të viteve 1990, presidentët e asaj kohe, Sulejman Demirel dhe Franjo Tuxhman, dhanë kontribut të rëndësishëm në afrimin e dy vendeve. Kurse me vizitat reciproke, që kanë si qëllim gjallërimin e besimit, u poqën gjithnjë e më shumë marrëdhëniet politike. Por për fat të keq është e qartë që, marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve, nuk janë ende në nivel të kënaqshëm.

Në eksportin e Turqisë në vitin 2016 me drejtim 10 vendet e Ballkanit pjesa që i përkiste Kroacisë ishte 3,21%. Po në të njëjtin vit, në total të importit të Turqisë nga vendet e Ballkanit, Kroacia merrte pjesë me 2,1%. Nga ana tjetër, në fund të vitit 2016, vlera e akumuluar e investimeve të huaja direkt të Turqisë në Kroaci ishte në vlerën e 430 milionë dollarëve. Veçanërisht në vitet e fundit është regjistruar një rritje e konsiderueshme e investimeve turke në Kroaci. Duke pasur parasysh se vlera e akumuluar e investimeve të huaja direkt të Turqisë në 10 vendet e Ballkanit gjatë vitit 2016-të ishte 10 miliardë dollarë, duket qartë se kapitali turk ka filluar të njihet rishtazi me Kroacinë. Për këtë arsye, në kuadër të vizitës së Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç në Ankara, zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike pati një rëndësi të veçantë.

Në vitet e fundit, sektori i turizmit të Kroacisë, filloi të tërheqë më shumë interesin e turistëve turq. Veçanërisht qyteti bregdetar, Dubrovnik i Kroacisë, vizitohet nga mijëra turistë turq. Edhe biznesmenët turq interesohen nga afër me sektorin e turizmit të këtij vendi. Duke qenë se turizmi është një burim i rëndësishëm i të ardhurave të Kroacisë, rritja e numrit të turistëve turq në Kroaci, përbën një rëndësi të madhe për Zagrebin. Mbrojtja e efektivitetit të marrëveshjes së migrimit, e nënshkruar ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian, ka një rëndësi jetike për Kroacinë. Refugjatët e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Qendrore, që kërkojnë të arrijnë në Evropë nëpërmjet itinerarit ballkanik, duan s’duan arrijnë në portën e Kroacisë.

Sipas shifrave të Komisariatit të Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara (UNHCR), në fund të vitit 2016, në Kroaci gjendeshin vetëm 304 refugjatë, 557 emigrantë dhe 2 873 persona paatdhe. Pavarësisht se kjo shifër nuk është e lartë, ashtu si shumë vende të Evropës, edhe Kroacia mundohet të mbaj larg nga tokat e saj refugjatët, me sa të jetë e mundur.

E parë nga aspekti i Turqisë, krahas marrëdhënieve ekonomike me Kroacinë, Turqia i jep rëndësi edhe zhvillimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kroacia nuk zë vend në listën e vendeve që dalin kundër anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Kurse si një vend anëtar në NATO, Kroacia është rrjedhimisht aleate e Turqisë në aleancë. Për këtë arsye Ankaraja e sheh ngrohtë bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes ndërmjet Turqisë dhe Kroacisë. Edhe lufta kundër terrorit është një çështje tjetër e rëndësishme që bashkon Ankaranë me Zagrebin. Kroacia përgjithësisht është pranë Turqisë në luftën me organizatën separatiste terroriste PKK. Por për fat të keq, në fushën e luftës së Turqisë kundër organizatës terroriste gyleniste FETO, deri më tani, mbështetja e Zagrebit ndaj Ankarasë ka mbetur në një nivel simbolik.

Një tjetër temë e rëndësishme në të cilën takohet Turqia dhe Kroacia është Bosnje-Hercegovina. Turqia dhe Kroacia, në lidhje me luftën e përjetuar në Bosnje-Hercegovinë në gjysmën e parë të viteve 1990, kanë bërë një përpjeke të përbashkët për ti dhënë fund përleshjeve të përjetuara veçanërisht mes boshnjakëve dhe kroatëve.

Edhe në ditët tona, mbështetja e Kroacisë ndaj tërësisë territoriale të Bosnje-Hercegovinës, si një vend që mund të ndikojë kroatët, ka një rëndësi të veçantë për Ankaranë. Turqia, prej afërsisht 10 vjetësh, në kuadër të mekanizmit këshillues tresh, vazhdon nismat që kanë si qëllim rritjen e besimit si ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë ashtu edhe ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Kurse një atmosferë më pozitive që do të krijohet në nivel rajonal pritet të ndikojë si në zbutjen e tensionit politik në Bosnje-Hercegovinë ashtu edhe në përshpejtimin e procesit të reformës.

Samitit tresh të Ballkanit Turqi-Bosnje Hercegovinë-Serbi, të zhvilluar në nivel presidentësh nga Turqia, Zagrebi deri në ditët tona i është afruar në mënyrë pasive. Por nga vizita e presidentes, Grabar-Kitaroviç në Turqi, kuptohet se papritur Zagrebi ka filluar të ndjejë nevojën e Samitit Tresh të Ballkanit. Po të shihnim të vërtetën e kësaj çështjeje, do të kuptonim se Zagrebi, duke përfituar nga marrëdhëniet e mira ndërmjet Presidentit Rexhep Tajip Erdoan me homologun boshnjak, Bakir Izetbegoviç, mundohet të mbështesë objektivat politike të kroatëve në Bosnje.

Grupi parlamentar, që i përket kroatëve të Bosnjës, vitin e kaluar solli në rend të ditës një projektrezolutë për Ndryshim në Ligjin Zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës. Me këtë projektligj në thelb kërkohet që në presidencë dhe parlament të pengohet zgjedhja e përfaqësuesve me votat boshnjake. Me këtë projektrezolutë propozohet që përfaqësuesit kroatë të zgjidhen vetëm me votat kroate dhe përfaqësuesit boshnjakë të zgjidhen vetëm me votat boshnjake.

Për më tepër, projektrezoluta jo vetëm që nuk gjen zgjidhje për padrejtësitë ndaj pakicave, por edhe hap rrugën për shkelje të reja ndaj të drejtave të njeriut. Sepse Federata Boshnjako-Kroate përbëhet nga 10 kantone. Nëse hyn në zbatim projektrezoluta e propozuar nga kroatët, për shembull boshnjakët ose kroatët që jetojnë në Kantonin e Sarajevës nuk mund të zgjidhen për kuvend. Kjo është një nga arsyet e bllokimit të projektrezolutës së Ndryshimit të Ligjit Zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës nga ana e boshnjakëve.

Sipas boshnjakëve një ligj i tillë do të përforcojë votimin etnik në vend dhe do të hapë rrugën për krijimin e etnikes së tretë që defakto i përket kroatëve. Kurse kërkesa për mbështetje e Presidentes kroate nga Presidenti Erdoan në një çështje që është e papranueshme nga ana e boshnjakëve, u bë shkak për reagimin e partive politike boshnjake dhe medias së Bosnje-Hercegovinës.

Në kuadër të reagimeve u nënvizua se Zagrebi mban një qëndrim të dyfishtë ndaj Bosnje-Hercegovinës. Sepse autoritetet e nivelit të lartë të Kroacisë nga njëra anë mbështesin tërësinë territoriale të Bosnje-Hercegovinës, nga ana tjetër mbështesin në mënyrë të fuqishme kërkesën për autonomi të kroatëve boshnjakë. Nga Ankaraja, që është e vetëdijshme për zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë, nuk mund të pritet që të mbështesë Zagrebin në tema që bien ndesh me interesat e boshnjakëve. Përveç kësaj, pa përpjekjen e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet liderëve të Bosnje-Hercegovinës, samitet rajonale do të mbeten të kufizuara në nivelin e nxitjes së përparimit në këtë vend./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne