Amerika, vend me konflikte të përhershme raciste

Manifestimi i një unioni amerikan i rrymave të ekstremit të djathtë në qytetin Charlottesville, në Virxhinia, edhe njëherë zbuloi konfliktet e vjetra e të përhershme raciste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky tubim përfshiu shumë nga lëvizjet ekstreme djathtiste si “Supremacistët e racës së bardhë”, “Nacionalistët e bardhë”, “Neo-konfederacistët”, “Neo-nazistët” dhe “Lëvizja e milicive”. Preteksti për organizimin e tubimit në qytetin e Charlottesville ishte gjithashtu protesta ndaj përpjekjeve për të hequr statujën e gjeneralit Robert Lee, komandantit kryesor të ushtrisë së shteteve skllavopronare gjatë Luftës Civile në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë , kur ishte formuar Konfederata e Shteteve të Amerikës. Pas vrasjes së një numri të besimtarëve zezakë në një kishë në Charleston, në vitin 2015, nga një djalë 21-vjeçar i quajtur Dylan Rowf, grupet anti-raciste dhe ato që aspirojnë për barazi raciale, filluan një fushatë për të hequr simbolet e mbetura nga epoka e skllavërisë dhe e luftërave civile në shtetet jugore. Nga ana tjetër, grupet e krahut të djathtë në hapësirën e krijuar gjatë presidencës së Donald Trump, nisën një kundërsulm për t’u përballur me këto lëvizje dhe mbajtën një nga tubimet e tyre më të mëdha në qytet. Si rezultat, në këtë konfrontim, tre u vranë dhe një numër i madh njerëzish u plagosën.

Kaosi në Charlottesville nuk është konflikti i parë racial në Amerikë, e as i fundit. Që nga dita kur anijet e para të emigrantëve anglezë arritën në brigjet e Botës së Re dhe qëkur kolonia e parë britanike u themelua në Georgetown, filloi racizmi në një vend që më vonë u bë i njohur si Shtetet e Bashkuara. Në fillim, kjo luftë dhe gjakderdhje midis emigrantëve të bardhë dhe popujve indigjenë filloi të formojë një nga gjenocidet më të mëdha të historisë njerëzore gjatë dy shekujve. Pastaj, me ardhjen e skllevërve të parë të zinj nga Afrika, filloi lufta raciale mes të bardhë dhe të zinjve. Për të maksimizuar përfitimet ekonomike, të bardhët kapën miliona njerëz të zinj dhe i trajtuan ata më keq se kafshët. Shitja e fëmijëve, ndarja e familjeve, tortura, ekzekutimi, gjymtimi dhe madje dënimet me vdekje për shkak të mësimit të shkrimit dhe leximit, ishin sjellje të zakonshme të pronarëve të bardhë ndaj skllevërve zezakë në shtetet jugore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për të mbrojtur këtë sistem mizor dhe çnjerëzor, grupi i supremacistëve të bardhë filloi një luftë civile katërvjeçare ku u vranë më shumë se gjashtëqind mijë ushtarë dhe banorë të dy rajoneve të Amerikës Veriore dhe Jugore. Edhe kjo luftë e përgjakshme, nxjerrja e një deklarate mbi lirinë e skllevërve dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese për të dhënë të drejtën e shtetësisë për skllevërit e rinj, gjithashtu nuk arriti të eliminojë prirjet e forta raciste në Shtetet e Bashkuara. Për shumë vite, grupet raciste si “Ku klus Klan” që dominonin në zona të gjera të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në shtetet ku më parë sundonte sistemi i skllavopronarisë, i masakronin zezakët. Në atë kohë, çdo person i bardhë u lejua që për çdo arsye të akuzojë, ndjekë penalisht dhe të dënojë një zezak. Ata nuk kishin frikë të kryenin veprime të tilla si gjymtimi, djegia e gjallë, varrosja për së gjalli dhe djegia e shtëpive dhe fushave të zezakëve, dhe shpesh gëzonin mbrojtjen e ligjit. Sigurisht, pakicat e shtypura, të tilla si zezakët dhe indianët, nuk rrinin duarkryq dhe, me aq sa kishin mundësi, sulmonin dhe shkatërronin pronat e të bardhëve në shenjë hakmarrje për racizimin. Këto sulme të ndërsjellta kanë mbajtur gjallë deri tani zjarrin e konflikteve të përgjakshme racore në Amerikë.

Në gjysmëshekullin e fundit, të drejtat civile të zezakëve në Shtetet e Bashkuara janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme. Zezakët tani lejohen të shkojnë në restorantet dhe në spitalet e të bardhëve dhe të ulen në shkollat ​​e nxënësve të bardhë. Ata gjithashtu kanë të drejtën e votës dhe mund të emërohen në poste të larta. Gjatë kësaj kohe, zezakët e elitës ishin në pozita si President, Sekretar i Departamentit të Shtetit, Prokuror i Përgjithshëm i SHBA. Megjithatë, kushtet për shumë qytetarë të zakonshëm zezakë, kryesisht me të ardhura të ulëta dhe njerëz të varfër, nuk kanë ndryshuar shumë. Paga e një punëtori zezak ende është më e ulët se e një punëtori të bardhë për një punë të ngjashme. Zezakët janë gjithashtu më pak të shkolluar dhe kanë më pak mundësi të përfitojnë nga shtëpitë, makinat dhe letrat me vlerë sesa të bardhët. Ndërsa, për shkak të varfërisë afatgjatë materiale dhe kulturore të zezakëve, ky grup kryen pjesën më të madhe të krimeve dhe shumë më tepër sesa pjesa e tyre në popullsinë amerikane, ata mbushin burgjet dhe përballen me dënime të rënda si burgim i përjetshëm ose ekzekutim. Megjithatë, rrymat ekstreme në Shtetet e Bashkuara ende besojnë se duhet të punojnë për të ruajtur superioritetin e racës së bardhë në vend. Nga kjo perspektivë, kushdo që nuk ka një prejardhje të bardhë evropiane konsiderohet të jetë inekzistent dhe i huaj dhe nuk mund të pretendojë të ketë një identitet amerikan. Për këtë grup supremacist, të zinjtë, indianët, myslimanët, çifutët, të bardhët me prejardhje latine dhe homoseksualët nuk kanë asnjë ndryshim. Ata pohojnë se me rritjen e popullsisë së zezakëve dhe latino-amerikanëve, për disa dekada të ardhshme, të bardhët evropianë do të bëhen pakicë, ndërsa numri i hispanikëve në Shtetet e Bashkuara do të jetë më i madh se i anglishtfolësve. Gjithashtu, për këtë grup, zhvillimi politik, ekonomik dhe social i minoriteteve është i rrezikshëm dhe ata nuk kanë frikë të përdorin dhunën për t’u përballur me këtë çështje. Në vitin 2015, një i ri 21-vjeçar i nxitur nga idetë e superioritetit të racës së bardhë, u sulmoi besimtarët në Kishën e zezakëve në Charleston, në Karolinën e Jugut dhe vrau nëntë persona.

Në Charlottesville, një i ri me makinë goditi aktivistët kundër racizmit dhe vrau një grua. Ky veprim u bë para syve të oficerëve të policisë dhe qindra kamerave të lajmeve dhe transmetimi i imazheve nga momenti i përplasjes së kësaj makine u ndoq me frikë dhe tmerr në Amerikë dhe në botë. Në një vend si Shtetet e Bashkuara të përbërë nga emigrantë nga e gjithë bota, shfaqja e incidenteve të tilla mund të çojë në trazira masive. Duket se një lëvizje radikale dhe raciste e krahut të djathtë po ndjen një lloj ndjenje sigurie për të kryer vepra të tilla kriminale. Tani në Amerikë, është në presidencë një person, i cili më parë i quajti të gjithë meksikanët si infeksione seksualisht të transmetueshme, kërkoi dëbimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm dhe vendosi një ndalim për të gjithë myslimanët në Shtetet e Bashkuara. Këto parulla dhe premtime i bënë ekstremistët e krahut të djathtë të shfrytëzonin fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2016 për të nxjerrë në pah idenë e epërsisë racore. Natyrisht, kjo marrëdhënie ka qenë e dyanshme në mënyrë që Trump gjithashtu të marrë përkrahjen e udhëheqësve të kësaj rryme për të përfituar nga votimi i mbështetësve të diskriminimit racor në jug dhe në perëndim të SHBA . Këta njerëz, të cilët jetojnë kryesisht në zonat rurale, tradicionale dhe fetare, kanë luajtur një rol të madh në fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e diskutueshme të Nëntorit 2016. David Duke, një udhëheqës racist dhe përkrahës i Donald Trump, duke iu drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara tha: “Unë ju këshilloj të shikoni fytyrën tuaj në pasqyrë dhe mos harroni se ishin këta amerikanë të bardhë që të zgjodhën president në detyrë, e jo ekstremistët e krahut të majtë”.

Shoqëria aktuale amerikane është më e prirur ndaj konflikteve racore se kurrë më parë për shkak të ndarjeve të thella shoqërore dhe kulturore. Duke parë rrjedhën e konflikteve racore në gjysmën e shekullit të kaluar, është vërejtur se me kalimin e kohës, numri i këtyre konflikteve është rritur. Për shembull, në 25 vitet e fundit, ka pasur 13 konflikte të përgjakshme dhe të dhunshme në Shtetet e Bashkuara që pasuan kryengritjen e Los Anxhelosit në vitin 1992, pas rrahjes së Rodney King ose pas vdekjes së Michael Brown, i cili u vra nga policët e bardhë në vitin 2015. Ndërkohë, rrymat e krahut të djathtë për të provokuar pakicat etnike kanë mbajtur disa tubime në lagjet e pakicave, përfshirë në qytetin Tolido në 2005 dhe në qytetin Charlottesville në vitin 2017. Këto tubime pritet të zgjerohen në pjesë të tjera të SHBA në muajt dhe vitet e ardhshme. Nga njëra anë, grupet e të drejtave civile dhe grupet përkrahëse të barazisë racore po luftojnë për të mbrojtur arritjet e së kaluarës dhe nga ana tjetër, grupet raciste po marrin armë për të mbrojtur atë që ata e quajnë identitet amerikan. Përplasjet mes dy palëve mund të përsërisin ngjarjet e Charlotteville në një shkallë më të madhe.

Jennifer Richeson, profesore e psikologjisë sociale në Universitetin Yale, thotë se mënyra e vetme për të ndryshuar paragjykimet është ndryshimi në kulturë. Duhet të ndryshojmë atë që është e pranueshme për shoqërinë. “Është e vërtetë se arritjet si mundësia e martesës mes racave të ndryshme dhe ligjet për eliminimin e diskriminimit janë fitore të rëndësishme, por kur bëhet fjalë për paragjykimet e brendshme dhe individuale, nuk duhet të presim vdekjen e disa njerëzve me ngjyrë në jug të Amerikës për të përmirësuar situatën”- shton znj Richeson./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne