Bota

“Amnesty International” dokumenton krimet kundër njerëzimit të Mianmarit

“Sulmet mbi popullsinë rohingiane kanë qenë sistematike duke përbërë shkelje të rënda të së drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit, sipas të drejtës ndërkombëtare”, theksohet në një raport të publikuar ditën e mërkurë nga “Amnesty International”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 582.000 myslimanë rohingianë kanë ikur nga Arakani në Bangladesh që nga muaji gusht, kur filloi represioni ushtarak.

Raporti i AI-së paraqet prova se ushtria e Mianmarit ka vrarë të paktën qindra gra, burra dhe fëmijë rohingianë, ka përdhunuar dhe ka kryer forma të tjera të dhunës seksuale ndaj grave e vajzave të këtij komuniteti, si dhe ka djegur sistematikisht banesat në të gjitha fshatrat myslimane të Arakanit.

Raporti bazohet në intervistat me mbi 120 myslimanë rohingianë, që kanë arritur të largohen nga shtëpitë e tyre, me specialistë mjekësorë, punonjës të ndihmës së parë, gazetarë dhe autoritete të Bangladeshit, si dhe në pamje satelitore, fotografi e filmime.

“Fushata aktuale është një përshkallëzim, me djegien e shënjestruar masive të fshatrave për të nxitur popullsinë rohingiane të Arakanit që të braktisë vendin dhe të bëjë të vështirë kthimin e saj në shtëpi”, thekson raporti i AI-së.

Raporti nënvizon gjithashtu se hetimet për të zbardhur përgjegjësinë e njësive të veçanta dhe individëve të përfshirë në krimet e kryera në atë zonë vazhdojnë ende. Megjithatë në raport thuhet se ka prova të forta që Komanda Perëndimore e ushtrisë së Mianmarit ishte përgjegjëse për disa nga shkeljet më të rënda.

“Pavarësisht presionit të shtuar ndërkombëtar, autoritetet nuk kanë treguar ndonjë shenjë se kanë vullnet për të ndaluar këto shkelje dhe krime”, potencon raporti.

Grupi i të drejtave të njeriut kërkoi nga OKB-ja, BE-ja dhe ASEAN-i që të imponojnë embargo dhe sanksione ndaj zyrtarëve të lartë birmanë.

“Është koha që bashkësia ndërkombëtare të shkojë përtej thirrjes publike dhe të ndërmarrë veprime”, thekson “Amnesty International”./ trt

OPINIONE