Analiza e “The Guardian”/ A rrezikon Trump ndjekjen penale pas largimit

Mesditën e 20 janarit Donald Trump do të dalë për herë të fundit nga Shtëpia e Bardhë. Do të kalojë Lëndinën Jugore, do të hipë në helikopterin Marine One dhe do të zhduket.

Në atë moment, mandati “i çmendur” i Trump si president i Shteteve të Bashkuara do të ketë mbaruar. Por ka një tjetër aspekt të rëndësishëm, një tjetër sfidë të fortë që ai pritet të fillojë sapo të lërë presidencën. Në një shkrim të gjatë të britanikes “The Guardian” thuhet se nuk përjashtohet mundësia që ai të ndiqet penalisht për krime të kryera para se të merrte detyrën ose teksa ishte në Zyrën Ovale.


Gjatë 4 viteve të fundit Trump është mbrojtur nga përballjet ligjore nga një memo e departamentit të drejtësisë që përjashton ndjekjen penale të një presidenti në detyrë. Por në momentin që ai hipën në helikopterin presidencial mbrojtja e tij është shuar.
Prokurori i Manhattan, Cyrus Vance po heton intensivisht marrëdhëniet e biznesit të Trump. Fokusi është te “angazhimi i tij në Organizatën Trump” ku përfshihen edhe mashtrime të mundshme bankare.

Një hetim i dytë i madh po bëhet nga prokurorët e frikshëm federalë të rrethit jugor të New York-ut dhe që ka çuar tashmë në dënimin e ish-avokatit të Trump Michael Cohen. Ai u deklarua fajtor për shkelje me financat e fushatës në lidhje me “pagesat e fshehta” për Stormy Daniels, aktoren e filmave për të rritur që pretendoi për një lidhje me Trump gjatë fushatës presidenciale 2016.
Gjatë procedimit të ndjekjes penale, Cohen implikoi një individ të cilësuar si “Individi 1” si truri kryesor i krimit. Megjithëse hetimi u mbyll teknikisht vitin e kaluar, akuzat mund të rishikohen pasi të hiqet imuniteti efektiv i Trump.

E gjitha kjo është gjithsesi një sfidë e rëndësishme ligjore dhe e ashpër, e mbushur me rreziqe politike për administratën e ardhshme të Joe Biden. A duhet të hetohet dhe a mund të ndiqet Trump për krime të kryera para dhe gjatë presidencës së tij?

“Duket se administrata e ardhshme do të duhet të përballet me këto çështje” – tha Bauer, i cili është bashkautor i librit “Pas Trump: Rindërtimi i Presidencës”. Çdo përpjekje për ta bërë Trump përgjegjës penalisht në një prokurori federale do të ishte e para në historinë e SHBA. Asnjë president paraardhës nuk është ndjekur kurrë në një mënyrë të tillë nga pasardhësi i tij. Edhe Richard Nixon u kursye nga një falje të diskutueshme presidenciale e Gerald Ford.

Presidentët e mëparshëm janë prirur nga ideja se është më mirë të shihet përpara në emër të shërimit kombëtar sesa prapa në dështimet e paraardhësit të tyre. Ka dhe një arsye tjetër. Çdo ndjekje penale ndoshta do të ishte e gjatë dhe e vështirë dhe do të ishte një shpërqendrim i madh si dhe do ta ekspozonte presidentin e ardhshëm ndaj akuzave se ai po vepronte si një diktator tinzar që po përndiqte armikun e tij politik.

Që një procedim i mundshëm i Trumpit po diskutohet është një shenjë e natyrës së jashtëzakonshme të 4 viteve të fundit. Ata që argumentojnë në favor të veprimeve ligjore pranojnë që ka kundërshtime të fuqishme për të ndjekur Trump, por i nxisin njerëzit të mendojnë edhe për rrezikun e mosveprimit.

“Nëse nuk bëni asgjë, ju po thoni se edhe pse presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është mbi ligjin, në fakt ai është. Kjo do të krijonte një precedent të tmerrshëm për vendin dhe do t’i dërgonte një mesazh çdo presidenti të ardhshëm se nuk ka kontroll efektiv mbi fuqinë e tij” – tha Andrew Weissmann, i cili ishte një prokuror kryesor në hetimin “Mueller” për një koordinimin mes Rusisë dhe Trump gjatë fushatës së 2016.

“Një nga gjërat që mësuam nga kjo presidencë ishte se sistemi ynë i kontrolleve dhe ekuilibrave nuk është aq i fortë sa mendonim, dhe kjo do të përkeqësohej duke mos i kërkuar llogari atij” – tha Weissmann për “The Guardian”

Bauer, i cili ishte një këshilltar i Biden gjatë fushatës presidenciale, por që nuk ka asnjë rol në ekipin e tij në tranzicion, është gjithashtu i shqetësuar se do të vendoset një lloj imuniteti i dyfishtë. Presidentët sipas tij nuk mund të ndiqen penalisht teksa janë në detyrë sipas rregullave të vendosura nga departamenti i drejtësisë, por nën një imunitet kaq të dyfishtë, nuk mund të ndiqen penalisht as sapo largohen nga Shtëpia e Bardhë në interes të “shërimit kombëtar”.

“Kështu presidenti është imun duke ardhur dhe duke shkuar, dhe unë mendoj se do të ishte shumë e vështirë për t’u përballur me idenë se ai ose ajo nuk është mbi ligjin.”

Biden e ka bërë të qartë mungesën e entuziazmit të tij për të ndjekur penalisht Trump, duke thënë se do të ishte “ndoshta jo shumë e mirë për demokracinë”. Por ai gjithashtu e ka bërë të qartë se do t’ia linte vendimin prokurorit të tij të përgjithshëm të emëruar, duke ndjekur normën e pavarësisë së departamentit të drejtësisë që Trump e ka thyer vazhdimisht.

Demokratë të tjerë të njohur kanë marrë një pozicion më të fortë, duke shtuar presionin mbi prokurorin e përgjithshëm të ardhshëm për të qenë më agresiv. Gjatë debateve paraprake demokrate, Elizabeth Warren bëri thirrje që të ngrihej një task forcë e pavarur për të hetuar çdo korrupsion të Trump ose akte të tjera kriminale të tij në detyrë.

Kamala Harris gjithashtu mbajti qëndrimin se kjo linjë mund të ndiqet nga administrata e re. Zv.Presidentja e zgjedhur, e pyetur vitin e kaluar nëse do të dëshironte të shihte ngritje akuzash nga Departamenti i Drejtësisë, u përgjigj: “Unë besoj se ata nuk do të kishin zgjidhje tjetër dhe se duhet, po.”

Ka disa arsye për të cilat departamenti i drejtësisë mund të detyrohet të përballet me çështjen e ngritjes së akuzave ose jo ndaj Trump. Ka zëra për një detaj ende të panjohur.

Weissmann tregon se administrata e Biden do të ketë qasje në një mori dokumentesh që më parë ishin mbajtur fshehur nga Kongresi gjatë hetimeve duke përfshirë dosje të agjencisë së inteligjencës dhe departamentit të shtetit. Janë komunikime zyrtare të dërguara nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump përmes postave elektronike dhe aplikacioneve të tyre të mesazheve të cilat mund të bëhen të disponueshme për tu hetuar. Ironike ta mendosh duke pasur parasysh faktin që Hillary Clinton u akuzua nga familja Trump në 2016 për përdorimin e serverit të saj personal të postës elektronike.

Por dy rrugët më të mundshme për nisjen e një hetimi penal do të kishin të bënin me përdorimin nga Trump të së drejtës së tij të faljes presidenciale dhe pretendimin e pengimit të drejtësisë.

“Trump firmosi një seri faljesh të karakterizuara kryesisht nga interesi politik”, – tha Weissmann.

Megjithëse fuqia e faljes presidenciale është e gjerë, nuk është siç ka pretenduar Trump, absolute – përfshirë edhe “të drejtën absolute” për të falur veten. Ai nuk është i imunizuar nga akuzat për ryshfet nëse gjendet se i ka ofruar dikujt falje në këmbim të heshtjes së tij në një çështje gjyqësore.

Për Weissmann, mënyra se si Trump ngacmonte vazhdimisht bashkëpunëtorët e tij Roger Stone dhe Paul Manafort me idenë e faljes në mes të ndjekjeve penale federale ndaj tyre ishte veçanërisht e papranueshme.

Ndoshta prova më solide e veprave penale të ngritura kundër Trump mund të ketë të bëjë me pengimin e drejtësisë. John Bolton, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, shkoi aq larg sa të thoshte se për Trump, pengimi i drejtësisë për të çuar përpara interesat e tij politike ishte një “mënyrë jetese”.

Në raportin e tij përfundimtar të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë, Mueller zbuloi 10 shembuj të sjelljes së Trump që mund të interpretohet ligjërisht si pengesë. Mueller nuk pranoi të thoshte nëse ato i plotësonin standardet për të ngritur akuza. Edhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Bill Barr, sugjeroi që të mos e bënin këtë, por nuk dha asnjë shpjegim për mendimin e tij. Ai la të kuptohej se ndoshta do të ishte ndonjë prokuror federal në të ardhmen që do t’i rikthehej çështjes.

Një nga incidentet më të forta ishte kur Trump u përpoq të ndalonte hetimet ndaj tij duke urdhëruar këshilltarin e tij të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, të pushonte nga puna Mueller. Kur kjo u bë publike ai urdhëroi McGahn të mohonte të vërtetën.

Weissmann, i cili luajti një rol kryesor në mbledhjen e provave kundër Trump në raportin e Mueller, tha se një pengesë e tillë shkon në zemër të arsyeve pse Trump duhet të përballet me ndjekje penale.

“Kur presidenti, pavarësisht se kush është, pengon një hetim të veçantë duhet të ketë pasoja” – tha ai. ©Përktheu LAPSI.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne