Ankara, në tetor organizohet “Punëtoria Ndërkombëtare Imam Maturidiu”

Fondacioni i Parlamentarëve të Botës Turke mes datave 25-27 tetor në Ankara do të organizojë “Punëtorinë Ndërkombëtare Imam Maturidiu”.

Zëvendëskryetari dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Fondacionit të Parlamentarëve të Botës Turke Dr. Abdullah Çalışkan në një deklaratë për AA tha se “Do t’i ndjekim gjurmët e Imam Maturidiut, i cili është një dijetar islam dhe qëndron në qendër të ndriçimit të madh i cili ka nisur në shekullin 10-të në botën islame. Ashtu siç ka ndodhur në histori, do të ndërtojmë themelimin e idesë së krijimit të civilizimit turko-islam”.

Çalışkan vuri në dukje se civilizimi perëndimor përkundër ofrimit të një kontributi të madh në fushat si shkencë, art, teknologji e industri nuk ka arritur që ofrojë paqen dhe drejtësinë e pritur në botë. “Çdo ditë e më shumë po rritet nevoja për ngritjen e zërave të rinj dhe të guximshëm në një mjedis ku i fuqishmi konsiderohet si i drejtë, e ai që ka të drejtë nuk mund të bëjë që zëri i tij të dëgjohet”, tha ai.

“Është detyrë e jona që të përpiqemi për ndriçimin e zgjidhjes së problemeve”

Ai tha se se në gjithë gjeografinë ku mbizotëron islami ndodhin masakra, terrorizëm dhe dhunë. Çalışkan tha se bota islame nuk po mund të prodhojë zgjidhje për problemet brenda saj dhe shtoi se zgjidhjet i kërkon gjithmonë në vendet tjera e jo brenda vetes.

Çalışkan theksoi se bota islame në të kaluarën ka ndërtuar një civilizim të madh, por sipas tij, në ditët e sotme ka dallime serioze të besimit dhe të mendimit. “Këto ndryshime të besimit dhe të mendimit mund të shkojnë deri në atë pikë saqë një musliman të vrasë një musliman tjetër pa hezituar fare. Është detyrë dhe përgjegjësia jonë e përbashkët që të hyjmë në qendrën e këtyre problemeve, t’i analizojmë dhe të përpiqemi të ndriçojmë zgjidhjet e këtyre problemeve duke analizuar mendimet dhe pikëpamjet e personave që kanë ofruar kontribute të rëndësishnme në historinë e mendimit islam”, tha ai.

“Imam Maturidiu ka mesazhe të shumta për t’u dhënë njerëzve të shekullit 21”

Çalışkan thotë se në mesin e këtyre personave ndodhet Ebu Mansur el-Maturidiu, i cili është një prej themeluesve të kalamit (studim mbi doktrinën e fesë islame) Ehli Sunetit. Çalışkan thotë se Maturidiu është një dijetar islam i cili ndodhet në qendër të ndriçimit të madh, i cili nisi në shekullin e 10-të.

Duke shprehur se imami Maturidiu ka mesazhe të shumta për t’u dhënë njerëzve të shekullit 21, Çalışkan tha se “Është me rëndësi që në ditët tona të kuptohen, të komentohen e t’u prezantohen drejtë masave të gjera mendimet e shprehura nga Imami Maturidiu. Kjo do të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve të epokës në të cilën jetojmë dhe në pikën e qëndrimit kundër perceptimeve dhe komenteve të cilat dëmtojnë botën islame”.

Ai theksoi se edhe qëllimi i Fondacionit të Parlamentarëve të Botës Turke për organizimin e kësaj puntorie është po kjo, duke shtuar se projekti i tyre është pranuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë.

Çalışkan po ashtu bëri të ditur se në punëtori do të marrin pjesë gjithsej 48 shkencëtarë, 6 nga shtetet si SHBA-të, Gjermania, Kazakistani, Kirgistani dhe Uzbekistani ndërsa 42 të tjerë nga universitete të ndryshme të Turqisë. Ai bëri të ditur se në punëtori pikëpamjet e Imam Maturidiut do të diskutohen në 4 tema kryesore, mendja, drejtësia, urtësia dhe vullneti i lirë.

Ai thotë se në fund të puntorisë pritet që të prezantohet një udhërrëfyes për problemet që po përjetohen në botën islame dhe për ndërtimin e një civilizimi të ri turko-islam.

Mbështetësi kryesor i Punëtorisë është Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, ndërkaq ajo mbështetet edhe nga TIKA, Turkish Airlines, Agjencia për Zhvillim në Ankara, Anadolu Agency (AA), TRT (Televizioni shtetëror i Turqisë) si dhe nga institucionet dhe organizata tjera në Turqi.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne