Ankaraja e shqetësuar nga mbështetja e Amerikës për kurdët

Armët amerikane për kurdët, pas shkatërrimit të ISIS, do t’i drejtohen Turqisë.

Kështu deklaroi Nuredin Xhanikli, ministër i mbrojtjes i Turqisë i cili theksoi se Amerika u ka dërguar aq armë kurdëve për të luftuar ISIS, saqë mjaftojnë për të armatosur 40-50 mijë persona. Në fjalimin e tij të mbajtur në Gjeorgji, ministri turk i mbrojtjes ka thënë se përgjegjës për dërgimin e armëve për kurdët në Siri është edhe John Bas ambasador i Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ankara. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sulmoi sërish Shtetet e Bashkuara, duke i kritikuar për mbështetjen e luftëtarëve kurdë në Siri, e një seri tjetër çështjesh problematike mes dy vendeve. Erdogan akuzoi Uashingtonin se po i jep armë falas një organizate terroriste, duke iu referuar “YPG”-së, një prej aleatëve kyç të SHBA-ve në luftën kundër ISIS në Siri. SHBA dhe Turqia po përballen ashpër prej një jave, pas arrestimit të një nëpunësi të Konsullatës amerikane në Turqi. Gjatë një fjalimi në kryeqytetin Ankara, Erdogan akuzoi SHBA-të se po dërgojnë 3.500 kamionë me armë në Siri dhe se ato po përdoren nga “YPG”-të për të rrethuar Turqinë. “Kush thotë se korridori i terrorit që SHBA-të po tentojnë të formojë në kufirin tonë jugor është për të luftuar ISIS? A mund të ketë diçka të tillë? Kjo është një gënjeshtër, sepse korridori synon të rrethojë Turqinë”, tha Rexhep Taip Erdogan. Erdogan akuzoi drejtpërdrejt John Bass, ambasadorin amerikan në Turqi, për përkeqësimin e raporteve, e tha se Shtetet e Bashkuara po sakrifikojnë një aleat strategjik për hir të diplomatit.

Presidenti turk tha gjithashtu se vendimi i SHBA-ve për të pezulluar thuajse plotësisht vizat me Turqinë është i padrejtë dhe nuk respekton të vërtetën. Turqia nxori një mandatarresti për një punonjës të konsullatës amerikane, i dyti brenda javës. Arrestimi i një anëtari të Konsullatës amerikane në Stamboll, javën e shkuar, shkaktoi një përballje diplomatike mes Ankarasë dhe Uashingtonit, duke bërë që dy vendet thuajse të ndërpresin plotësisht shërbimin e vizave. Nëpunësi i parë u arrestua pasi dyshohet se ka lidhje me klerikun Fetullah Gulen, i akuzuari kryesor nga Turqia për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016. Por, Ankaraja nuk dha asnjë sqarim për arsyet e mandatit të dytë të arrestit. Përballja diplomatike me Shtetet e Bashkuara i ka kushtuar shtrenjtë Turqisë, pasi aksionet dhe bursa turke pësuan humbje serioze. Turqia i kërkoi më herët Uashingtonit që të rishikojë vendimin për të ndaluar të gjitha llojet e vizave, që s’kanë të bëjnë me emigracionin, masa që u morën si raprezalje ndaj arrestimit të parë. Por ndërsa Turqia nxjerr një mandat të dytë arresti, zor se Amerika do të plotësojë kërkesën. Turqia, prej kohësh kërkon ekstradimin e Fetullah Gulen nga SHBA, e sipas ekspertëve, arrestimi i nëpunësve duket një përpjekje e Ankarasë për presion, megjithëse deri tani është Turqia që ka pësuar humbje. Ndonëse nuk pati shpjegime të mëtejshme, lëvizja vjen pasi një punonjës i konsullatës amerikane në Stamboll u ndalua javën e kaluar nën dyshimin e lidhjeve me Fetullah Gulenin, kleriku i akuzuar prej Ankarasë dhe Rexhep Taip Erdoganit si organizatori i grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar. Uashingtoni e dënoi ashpër episodin e konsideruar prej tij si krejtësisht i pabazë dhe i dëmshëm për marrëdhëniet dypalëshe. Punonjësi i arrestuar ishte shtetas turk. Ankaraja i bën prej muajsh presion Uashingtonit të ekstradojë Gulenin, të cilin Erdogan e sheh si shkakun kryesor të trazirave./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne