Pas një kontrolli financiar të kryer në Burgun e Lushnjës është gjetur një dëm ekonomik mbi 300 mijë euro. Abuzimet rezulton të jenë kryer me naftën dhe numrin e policëve që përfitojnë shërbimin e transportit.
“Para” të harxhuara për naftë, por që kjo e fundit nuk shkon në serbratorët e makinave, fryrje e numrit të policëve që përfitojnë shërbimin e transportit dhe kontratë e prishur në mënyrë të njëanshme…. Janë këto disa nga shkeljet e gjetura në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lushnjë, pas kontrolleve financiare të kryera.
“Për mjetet e transportit të markave të ndryshme, me konsum të karburantit të llojit “Naftë” dhe “Benzinë”, dokumentohet që sasia e karburantit, nuk rakordon me sasinë e karburantit sipas serbratorëve të tyre, afro 60 litra secili mjet. Pra dokumentimi i sasisë së karburantit gjendje sipas datave si më sipër, është mesatarisht 4.8 herë më shumë, ndërsa për gjeneratorët është 15.5 herë më shumë.”
Dëmi i shkaktuar nga Burgu i Lushnjës përllogaritet në mbi 300 mijë euro, shkruan A2. Veç karburantit për automjete, abuzime janë gjetur edhe te lënda djegëse që përdoret për kaldajat që ngrohin qelitë e të dënuarve.
“Nga ana Institucionit të IEVP-Lushnjë dhe strukturat përgjegjëse respektive, nuk janë menaxhuar me përgjegjshmëri fondet publike, referuar shkeljeve dhe parregullsive të konstatuara, duke sjellë për pasojë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën prej 2.663.516 lekë, si dhe nuk janë menaxhuar me përgjegjshmëri vlerat materiale, përdorimi i karburantit, duke sjellë për pasojë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, vlerësuar dëm solidar, nga personat shkaktarë, në vlerën prej 267.197 lekë.”
Abuzimi me financat që ka sjellë dëmin ekonomik për periudhën korrik 2021-korrik 2022, rezulton të jetë kryer në mungesë procesverbalesh dhe dokumentesh që mund të justifikojnë shpenzimet.
“Nuk dokumenton një analizë të bërë lidhur me turnet respektive që do të kryhen nga punonjësit e policisë dhe organizimi i tyre, bazuar në skemën e sigurisë. Nuk dokumenton, si dhe mungon një analizë lidhur me rritjen e numrit të punonjësve të policisë që do të përfitojnë nga shërbimi i transportit, referuar procesverbaleve të mbajtura nga ky Komision.”
Për abuzimet e gjetura, në dy raste është kërkuar rikthimi i parave në arkën e Burgut të Lushnjës me anë të masës “shpërblim dëmi. Ndaj pjesës tjetër të atyre që kanë janë përfituar në mënyrë të padrejtë është vendosur gjithashtu një masë administrative, 13 rregullatore dhe 14 disiplinore./