ARABIA SAUDITE ZVOGËLON PROJEKTIN “THE LINE”

Behar Kaceli

Shumë ekspertë e kanë konsideruar këtë projekt që në fillim si tepër ambicioz dhe të destinuar për dështim.

Qeveria e Arabisë Saudite ka rishikuar përmasat e projektit “The Line”. Fillimisht i planifikuar si një megapol linear me gjatësi 170 kilometra, projekti do të realizohet në një shkallë shumë më të vogël për shkak të rritjes së kostove dhe ndryshimeve në kushtet ekonomike.

Projekti The Line është një pjesë e rëndësishme e strategjisë “Vizioni 2030” dhe bazohet në konceptin e një qyteti utopik pa makina. Ai ishte projektuar për 9 milionë banorë.

Sipas planit të ri, deri në vitin 2030 do të ndërtohet vetëm një pjesë prej 2.4 km dhe pritet të ketë një popullsi më të vogël se 300 mijë banorë. Ngushtimi i projektit erdhi si pasojë e luhatjeve në tregun e naftës dhe rritjes së kostove të ndërtimit.

Kjo situatë ka ushtruar presion mbi buxhetin e megapolit miliarda dollarësh “Neom”. Si rezultat, qeveria e udhëhequr nga princi i kurorës Mohammed bin Salman është detyruar të rishikojë planet.

Për shkak të zvogëlimit të projektit, disa kontraktorë kanë filluar të pushojnë punëtorët. Pavarësisht ndryshimeve në projektin The Line, puna në pjesët e tjera të Neom-it, përfshirë zonat turistike dhe industriale, vazhdon./fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne