Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit theksoi se negociatat me Amerikën në rrethanat aktuale do të çojnë vetëm në një bllokim.
Seyyed Abbas Araghchi, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, të shtunën në mbrëmje, në përgjigje të propozimeve për negociata dhe përgjigjes së Iranit ndaj tyre, tha: “Aktualisht, nuk kemi asnjë kërkesë për negociata nga askush. Përvojat e vitit të kaluar, duke përfshirë negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe negociatat me evropianët, e kanë bërë të qartë se cili ka qenë fati i këtyre negociatave.
Negociatat me Amerikën, siç ka thënë Udhëheqësi i Revolucionit Islamik, janë një bllokim i plotë. E shpjegova këtë çështje në takimet që patëm me amerikanët, think tank-et dhe palët e tjera. Ne negociuam një herë me Amerikën, u arrit një marrëveshje, por ata u tërhoqën nga marrëveshja dhe rivendosën sanksionet e tyre pa asnjë arsye. Edhe një herë, u zhvilluan negociata në qeverinë e mëparshme, të burgosurit u liruan në këmbim të lirimit të parave iraniane, por burimet tona financiare u bllokuan përsëri.
Ne negociuam edhe një herë, ata na sulmuan në mes të negociatave. Ne negociuam edhe në Nju Jork, paraqitëm propozime të arsyeshme, por përsëri u përballëm me ekzagjerim. Prandaj, është e qartë se negociatat me Amerikën në rrethana të tilla do të çojnë vetëm në bllokim.”
Ministri i Jashtëm i Iranit vazhdoi: “Duke pasur parasysh atë që ndodhi në Nju Jork dhe çështjet pasuese, ne vërtet nuk shohim ndonjë bazë për të filluar negociatat me Amerikën”.
Hamasi: Armët e Rezistencës nuk janë të negociueshme
Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze “Hamas” theksoi se çështja e çarmatosjes së këtij grupimi si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza bazuar në planin e propozuar nga presidenti aamerikan, nuk është e negociueshme. Në të njëjtën kohë, Marwan Abdul-‘Aal, një anëtar i Zyrës politike të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, theksoi në një deklaratë se “çështja e armëve të Rezistencës nuk është ngritur kurrë në tryezën e negociatave”.
Përleshje të rënda midis forcave talebane dhe ushtrisë pakistaneze përgjatë vijës kufitare Durand
Përleshje të rënda ndodhën të shtunën midis forcave talebane dhe ushtrisë pakistaneze përgjatë vijës kufitare Durand. Ministria e Mbrojtjes e qeverisë talebane njoftoi se në përgjigje të asaj që e quajti “shkelje kufitare nga ana e Pakistanit”, kishte sulmuar pozicionet e ushtrisë së këtij vendi, si dhe qendrat e lidhura me ISIS-in përgjatë kufirit Afganistan-Pakistan.
Ndërkohë, burimet pakistaneze, ndërsa njoftuan për veprime provokuese nga talebanët afganë në rripin e përbashkët kufitar, thanë se forcat pakistaneze iu përgjigjën në mënyrë të shpejtë dhe të llogaritur sulmeve të forcave afgane dhe njëkohësisht shkatërruan disa vendstrehime të talebanëve pakistanezë dhe ISIS-it në tokën afgane.
Protestuesit francezë kërkojnë dorëheqjen e Macron
Ndërsa kriza politike në Francë u përshkallëzua përsëri, protestuesit në Paris kërkuan tërheqjen e vendit nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Bashkimi Evropian dhe dorëheqjen e presidentit Emmanuel Macron.
Kryeministri francez Sebastien Le Corneaux, i cili u riemërua të premten nga Macron në krye të qeverisë franceze, theksoi në një deklaratë se do të jepte dorëheqjen përsëri nëse nuk plotësoheshin kushtet e nevojshme për të vazhduar punën e tij.
60 të vrarë në sulmin e Forcës Sudaneze të Reagimit të Shpejtë në një kamp refugjatësh në Darfur
Burime spitalore në qytetin El-Fasher në Darfur të Sudanit, njoftuan se të paktën 60 persona u vranë në sulmet me dronë nga Forca Sudaneze e Reagimit të Shpejtë në një kamp në qytet. Kampi është shtëpia e qindra familjeve sudaneze refugjatë, që ikën nga zonat e konfliktit, veçanërisht kampet Abu Shuk dhe Zamzam. Sipas burimeve të lajmeve, banorët e kësaj qendre po përballen me kushte të rënda jetësore dhe shëndetësore.
Fushata kundër luftës e kryeministrit hungarez kundër Bashkimit Evropian
Të shtunën, kryeministri hungarez nisi një fushatë për të mbledhur nënshkrime kundër planeve të luftës së Bashkimit Evropian.
Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, në rrjetet sociale shkroi: “Nuk mund të shikojmë pa bërë asgjë! Duhet të tregojmë edhe një herë se populli hungarez nuk dëshiron luftë. Kjo është arsyeja pse po fillojmë të mbledhim nënshkrime kundër planeve ushtarake të Brukselit (selia e Këshillit të Evropës). Do të jemi të pranishëm në çdo qytet dhe fshat, sepse tani kemi nevojë për çdo hungarez që dëshiron paqe.”
Vdekja e papritur e 3 diplomatëve të Katarit në Egjipt; aksident apo atentat?!
Tre anëtarë të delegacionit të Katarit që ishin në rrugën e tyre për në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, për bisedimet e paqes në Gaza, mbetën të vdekur dhe dy të tjerë u plagosën rëndë në një aksident automobilistik në Egjipt. Policia egjiptiane ka nisur një hetim për detajet e incidentit. Pas zbatimit të armëpushimit në Gaza, presidenca egjiptiane njoftoi të shtunën në mbrëmje se një takim ndërkombëtar me pjesëmarrjen e më shumë se 20 vendeve do të mbahet të hënën në Sharm el-Sheikh.
Ambasada iraniane në Venezuelë: Dhënia e Çmimit Nobel Machado-s është tallje me konceptin e paqes
Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Karakas reagoi të shtunën ndaj dhënies së Çmimit Nobel për Paqen politikanes venezueliane të afërt me Perëndimin dhe regjimin sionist, Maria Corina Machado.
Ambasada e Iranit në Venezuelë shkroi në rrjetin social X: “Dhënia e Çmimit “Nobel për Paqe” dikujt që justifikon gjenocidin në Gaza dhe bën thirrje për një pushtim ushtarak të huaj të Venezuelës është vetëm një shenjë tjetër e mentalitetit përçarës dhe ndërhyrës të Perëndimit në botën në zhvillim. Kjo zgjedhje nuk është gjë tjetër veçse një tallje me konceptin e “paqes”.”/parstoday


















