Argjentinë – Një gjyqtar federal kërkon ndihmë juridike kundër princit trashëgimtar saudit

Një gjyqtar federal i Argjentinës ka kërkuar ndihmë juridike (rogator) nga Turqia, Jemeni, Arabia Saudite dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për shkeljet e të drejtave të njeriut në luftën civile në Jemen nga koalicioni nën drejtimin saudit.

Gjyqtari federal argjentinas, Ariel Lijo, i ka përcjellë Ankarasë, Sanës dhe Riadit rogatoret mbi provat e paraqitura nga Organizata për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (Human Rights Watch – HRW), sipas të cilave koalicioni nën drejtimin e Sauditëve është fajtor për krime lufte në Jemen.

Ndërsa prokurori Ramiro Gonzales, emri që i ka kërkuar gjyqtarit Lijo dërgimin e kërkesave për ndihmë juridike, ka theksuar se do të vërë në veprim nenin që mundëson gjykimin e shtetasve të huaj jashtë vendit, në rast se vërtetohen akuzat mbi princin trashëgimtar saudit (Mohammad Bin Salman) për shkelje të të drejtave të njeriut.

Ligji i Argjentinës i jep gjyqësorit të vendit të drejtën për të hetuar krimet e luftës dhe torturën në baza globale duke hapur rrugën që shtetasit e vendeve të tjera të gjykohen për krime të tilla kur të hyjnë në shtetin amerikanojugor.

Nga ana tjetër, ende nuk është e qartë nëse princi Bin Salman do të mund të procedohet në Argjentinë në kuadër të gjykimit ndërkombëtar.

Aktualisht, arrestimi dhe gjykimi i princit trashëgimtar të fronit saudit në Argjentinë, ku ai ka shkuar për të marrë pjesë në Samitin e G20-s, duket si një diçka e pamundur.

Pak ditë më parë, HRW-ja i ka paraqitur Prokurorisë Federale të Argjentinës prova se Bin Salmani është fajtor për shkeljet e të drejtave të njeriut në luftën civile në Jemen nga koalicioni nën drejtimin e Arabisë Saudite.

Sipas një deklarate të HRW-së, krahas rolit të princit Bin Salman në lidhje me krimet e dyshuara të luftës në Jemen nga koalicioni nën udhëheqjen e Arabisë Saudite, autoritetet argjentinase po vlerësojnë gjithashtu bashkëpunimin e mundshëm të tij në torturimin dhe keqtrajtimin e pretenduar të disa shtetasve sauditë, përfshi këtu edhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Trashëgimtari i kurorës saudite, Mohammad bin Salman, ka qenë në shënjestër të kritikave pas vrasjes barbare të Khashoggit më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të vendit të tij në Stamboll.

Burime të ndryshme amerikane pretendojnë se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) në SHBA ka arritur në konkluzionin se direktiva për vrasjen e Jamal Khashoggit është dhënë nga princi Bin Salman./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne