Arma anti-dron e prodhuar nga Turqia mjaft e kërkuar në tregun ndërkombëtar

Firma turke e teknologjisë Harp Arge (R&D) ka zhvilluar një armë të re elektromagnetike anti-dron për tregun ndërkombëtar, dhe ka filluar eksportet e armës së mbrojtjes në vende të tjera.

Koordinatori i Përgjithshëm i Harp Arge, Aytekin Güçlü tha të enjten se ata kanë nisur një partneritet të studimit të marketingut me Industrinë turke të Ndërtimit dhe Mbrojtjes Koza, pasi kanë marrë kërkesa të mëdha nga jashtë.

Güçlü tha se Industria e Ndërtimit dhe e Mbrojtjes Koza tregton në mënyrë aktive armët anti-dron në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës. Ai tha se firma është në bisedime me klientë nga pesë vende të ndryshme.

“Ne kemi bërë studime demonstruese në (këto) vende dhe kemi marrë përgjigje të suksesshme,” tha ai.

Güçlü tha gjithashtu se në tetor do të mbahej një panair i mbrojtjes në Bahrejn, që do t’u lejojë atyre të takojnë klientët potencialë.

Eksportet e para të armës u bënë në Azerbajxhan pas ekzaminimit nga ushtria e vendit. Kjo armë anti-dron është aktualisht në përdorim nga ushtria dhe policia turke.

Harp Arge fokusohet në përmbushjen e nevojës së ushtrisë turke për sistemet pa pilot, për luftën elektronike dhe robotikën.

Trupi kryesor i modelit të ri është krijuar nga një përbërje e fibër-karbonit, që është një material i qëndrueshëm dhe i lehtë.

Në të gjitha anët e armës ndodhet një sistem mbështetës 22-milimetërsh, i cili është i një standarti botëror, kështu që mund të personalizohet.

Sistemi mbështetës i lejon përdoruesit të shtojë pajisje. Në sajë të këtij sistemi, armës mund t’i shtohet lehtë një shënjestrues ose një red-dot sight.

Një dorezë është shtuar gjithashtu për mbajtje më të lehtë. Përveç kësaj, kohëzgjatja e baterisë së anti-dronit është rritur në 90 minuta. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne