“Armenia do të paguajë çmimin nëse shkel armëpushimin me Azerbajxhanin”

Armenia do të “paguajë çmim” nëse shkel marrëveshjen e fundit të paqes dhe marrëveshjen e armëpushimit me Azerbajxhanin rreth konfliktit në Malësinë e Karabakut, deklaroi kryediplomati turk, Mevlut Çavusoglu.

“Ata (forcat armene) ose duhet të largohen nga territori vullnetarisht duke respektuar marrëveshjen, ose ushtria heroike e Azerbajxhanit do t’i marrë ato toka siç bëri deri më tani. Nuk ka zgjidhje tjetër”, theksoi Çavusoglu në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Azerbajxhani nuk është “i etur për të derdhur gjak” dhe u tregua shumë i durueshëm për zgjidhjen paqësore të konfliktit, tha ai, duke shtuar: “Pas kësaj, zgjedhja është në duar të Armenisë (për të derdhur gjak ose për zgjidhje paqësore)”.

Duke folur rreth krijimit të qendrës paqeruajtëse për mbikëqyrjen e armëpushimit në territorin e Malësisë së Karabakut, Çavusoglu tha se roli i Turqisë do të jetë saktësisht i njëjtë me atë të Rusisë në monitorimin e përbashkët.

Në bazë të një memorandumi të mirëkuptimit, është krijuar një qendër e përbashkët turko-ruse për monitorimin e marrëveshjes së paqes, e cila i jep fund konfliktit të armatosur disa javorë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, i cili u nënshkrua të mërkurën në mëngjes, sipas Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Konflikti mund të zgjidhet vetëm duke i dorëzuar të gjitha tokat e okupuara Azerbajxhanit”, tha Çavusoglu, duke shtuar se punimet mbi statusin e Karabakut do të vazhdojnë në periudhën e ardhshme.

Ai nënvizoi se “qëllimi i vetëm” i marrëveshjes së paqes ishte kthimi i tokave të okupuara Azerbajxhanit.

“Deri më tani, ushtria heroike e Azerbajxhanit ka bërë atë që kërkohet në terren, kurse tani, përmes diplomacisë, po punohet për kthimin e tokave të okupuara në bazë të parashikimeve”, tha kryediplomati turk.

Çavuşoğlu gjithashtu theksoi se Franca, bashkëkryesuese, së bashku me Rusinë dhe SHBA në Grupin e Minskut të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) të formuar në 1992 për gjetjen e zgjidhjes paqësore të konfliktit, nuk ka asnjë qëndrim “objektiv dhe të ekuilibruar” mbi çështjen e Malësisë së Karabakut.

“Treshja e Minskut duhet të marrë një mësim nga ky proces, veçanërisht Franca. Deklarata të njëanshme po bëhen edhe pas marrëveshjes së armëpushimit”, tha ai.

Konflikti në Malësinë e Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone fqinje.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe një numër organizatash ndërkombëtare kanë kërkuar “tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të forcave okupuese” nga territori i okupuar i Azerbajxhanit.

Në total, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin e paligjshëm të Armenisë për gati tri dekada. Megjithatë, një armëpushim u arrit në vitin 1994.

Fuqitë botërore, përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA-në, kanë bërë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm. Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje dhe ka kërkuar tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.

Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev e përshëndeti marrëveshjen si një fitore për vendin e tij dhe një disfatë të Armenisë, duke thënë se suksesi ushtarak i mundësoi Azerbajxhanit të fitojë një epërsi të lartë për t’i dhënë fund okupimit tre-dekadësh të territorit të tyre.

Ndërkaq, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, tha se ishte “një vendim shumë i vështirë” për të nënshkruar marrëveshjen për t’i dhënë fund konfliktit në rajonin e Malësisë së Karabakut.

Udhëheqja turke gjithashtu e mirëpriti armëpushimin, duke e quajtur atë një “fitore të madhe” për Azerbajxhanin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne