Arrestimi i Metës, avokati Cakrani: Është marrë vendimi për t’u dënuar, këto janë procedura fake

Avokati Kujtim Cakrani, i ftuar në një studio televizive, tha se në Shqipëri kemi një drejtësi sovjetike që flet anglisht. Cakrani theksoi se arrestimet dhe procedimet penale vërtetojnë që SPAK dhe GJKKO s’janë të afta të ndërtojnë akuza të bazuara në fakte dhe ligj. Avokati evidentoi disa elemente problematikë sipas tij në mënyrën si janë hetuar liderët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

“Në Shqipëri s’është bërë reformë në drejtësi, janë bërë ndryshime në personel, ku janë zëvendësuar me militantë që vinin nga juristët e gjithë administratës publike në vend, kjo është drejtësia e re. Drejtësia sot është një drejtësi që s’bën drejtësi, është drejtësi sovjetike që flet anglisht. Të gjitha arrestimet, ndalimet, procedimet penale, vërtetojnë që si SPAK si GJKKO s’janë të afta të ndërtojnë akuza mbi prova, fakte, të bazuara në ligj. Këtë e them si avokat sepse shkoj përditë për gjyqe dhe çështje.

Kjo është një drejtësi larg pritshmërive të qytetarëve. Po marrim rastin e z.Berisha. Kush ishte ngutshmëria e SPAK-ut që të hetonte Berishën me masë sigurimi tjetër, po them edhe heqjen e pasaportës. Kush ishte ngutshmëria që mos merrte autorizimin për ta hetuar z.Berisha. S’jam kundër hetimit, por mënyrës si po hetohet. Ti mund të jesh me familjen duke drekuar dhe të vjen polici bandit i operacionales dhe të merr zvarrë dhe të çon në dhomat e izolimit. Është shtetësi sovjetike që flet anglisht.

Unë jam për shtetin e së drejtës. Unë s’besoj te Specialet, Specialet ngrihen për të dënuar pa ligj, pa fakte, pa prova. Drejtësia s’bëhet me peshore, as me fushata, ose bëhet ose s’bëhet. Ky është jakobinizëm. Çlidhje ka CEZ-DIA me mos deklarimin e znj.Kryemadhi. Kur ishte nevoja për të hetuar inceneratorin, apo sterilizimin SPAK-u i ndante çështjet, kur vjen te kjo që s’ka lidhje, i bashkon!”

Cakrani tha se Meta u trajtua si terrorist gjatë arrestimit, dhe kjo tregon fytyrën e drejtësisë së re. Cakrani shtoi se ndaj Ilir Metës është marrë vendimi për t’u dënuar, dhe këto “janë procedura fake”./sot

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress