Arrestimi i pedagogut, Muka: Po verifikojmë masterin që ka marrë në Zvicër

Zëvendsministri i ri i Arsimit të Lartë, Taulant Muka në një prononcim për Shekullin, tha se është angazhuar maksimalisht, në lidhje me rastin e fundit mbi pedagogun e Fakultetit Ekonomik, Dritan Shoraj i cili bënte pjesë në trafikimin e lëndëve narkotike. Në fjalën e tij Muka tha se është ngritur një grup pune dhe është kërkuar shqyrtimi i dosjes, se kush e ka marr në punë dhe kush kanë qenë konkretisht, si dhe vlerësimi i punës kërkimore, si doktoratura dhe materialet që i kanë dhënë titullin “Doktor Shkencash”.

“Kam kërkuar sipas profilit që ka në Shoraj.com, ku zotëria pretendon se ka një master në Zvicër dhe kam kërkuar që të verifikohet nëse një gjë është e tillë është e vërtetë”, tha ai.

Më tej zëvendësministri tha se ka kërkuar që të verifikohet se çfarë mase është marr ndaj z. Shoraj, pasi më parë ka dalë një problem etik në media dhe nuk është në dijeni nëse ka pasur masa administrative.

“Kam thirrur dhe rektorin e Universitetit të Tiranës,  z.Koni për ditën e nesërme, për të marrë më shumë informacion. Në fjalën e tij z.Muka tha se nuk ka të drejtë firme, dhe e vetmja gjë që mund të bëhet prej tij, janë rekomandimet, përgatitja e dokumenteve dhe firma është në dorën e Ministres së Arsimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm.

“Janë ata që marrin vendimin që të çojnë grup hetimi apo jo, unë nuk e kam këtë target” , tha ai.

Deri më tani çështja është duke u shqyrtuar hap pas hapi, sqaroi z.Muka. Ndërkohë në njoftimin zyrtar të Universiteti të Tiranës, rektori, Mynyr Koni pasi është njohur me informacionin e bërë publik nga Policia e Shtetit në datën 10.11.2018 për Dritan Shorajn, vendosi më datë 12.11.2018 pezullimin nga detyra si personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, deri në marrjen e dokumentacionit të plotë nga institucionet përkatëse për këtë shtetas. Kujtojmë që Dritan Shoraj ishte lektori i lëndës për menaxhim të bizneseve dhe korporatave, dhe jepte leksione në auditorët e universiteteve, por në të njëjtën kohë, emri i tij gjendej në listën e të kërkuarve për çështje droge. Ish-pedagogu u arrestua 3 ditë më parë nga forcat operacionale pas një kërkese të autoritete italiane. 47-vjeçari ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Venecia, me 4 vite burg e 20 ditë. Emri i doktorit Shoraj i është përcjellë Shqipërisë përmes Interpolit, por ajo që ka befasuar departamentin e hetimit të krimeve, është CV-ja e njeriut që kërkonin italianët. Siç tregojnë të dhënat zyrtare të Fakultetit Ekonomik, që prej vitit 2014 Shoraj mban titullin Doktor Shkencash në Ekonomi. Ish-pedagogu i është dorëzuar policisë së Tiranës dhe pritet që materialet shtesë të përcillen nga Italia përmes Ministrisë së Drejtësisë.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne