Policia e Vlorës ka arrestuar 3 persona, pasi janë kapur me një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike.
Sipas policisë, operacioni i zhvilluar ka dërguar në pranga 3 të rinjtë.
Njoftimi i policisë:
Vlorë
Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve F. M., 25 vjeç, F. R., 37 vjeç dhe H. R., 30 vjeç, banues në Vlorë.
Në bazë të informacioneve të siguruara, në afërsi të fshatit Panaja, forcat e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e këtyre shtetasve, të cilët po qarkullonin me një mjet tip “Peugeot” në autostradën Fier-Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjerë shtetasit F. R. dhe H. R., u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 300 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis.