Arrestohen 79 persona per zjarrvenie ne Greqi.

Autoritetet greke kanë bërë 79 arrestime për zjarrvënie, pasi flakët kanë shkatërruar vendin.

Ministri i Mbrojtjes Civile Vassilis Kikilias tha se kishte pasur disa përpjekje nga zjarrvënësit për të ndezur zjarre të reja në malin Parnitha, në veriperëndim të Athinës.

Zjarret në Greqi kanë vrarë të paktën 20 njerëz këtë javë.

“Ju jeni duke kryer një krim kundër vendit,” tha ministri Kikilias në një deklaratë.

“Zjarrvëniet po ndezin zjarre që kërcënojnë pyjet, pronat dhe mbi të gjitha jetët njerëzore. Nuk do të ikni, do të’ju gjejmë, do të mbani përgjegjësi”, u tha zoti Kikilias grekëve gjatë një konferencë urgjente televizive të enjten.

Zjarret e verës janë të zakonshme në Greqi dhe shkencëtarët kanë lidhur frekuencën dhe intensitetin në rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë valët e të nxehtit, me ndryshimet klimatike.

Stefan Doerr, i cili drejton Qendrën për Kërkimin e Zjarrit në Universitetin Sëansea, thotë se më shumë peizazhe të ndezshme, për shkak të motit të nxehtë ose menaxhimit të dobët të bimësisë, do të thotë se zjarrvënia dhe incidentet e tjera mund të shndërrohen lehtë në zjarre me lëvizje të shpejtë.

Policia dhe shërbimi grek i inteligjencës EYP po hetojnë incidentet, raportoi AFP.

Zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis, tha për median ERT se nga 140 arrestime të lidhura me zjarret, 79 kishin të bënin me zjarrvënie.

Qindra zjarrfikës në të gjithë Greqinë janë duke luftuar me zjarret vdekjeprurëse.

Fronti i madh i zjarrit që shpërtheu të shtunën pranë qytetit port të Alexandroupolis, është bërë më i madhi në histori në BE, sipas komisionerit evropian Janez Lenarcic.

Ndërkohë, në malin Parnitha pranë Athinës, zjarret kanë shpërthyer në një pyll ngjitur me kryeqytetin, duke kërcënuar një park kombëtar.

Në fillim të kësaj jave, trupat e 18 personave që besohet se ishin emigrantë, me fëmijë mes tyre, u gjetën pranë rajonit Evros në Greqinë verilindore. Nga zjarret në rajonin e Boeotias të hënën humbi jetën edhe një bari.

Kikilias tha të mërkurën se vendi po kalonte verën më të keqe që nga prezantimi i hartave të rrezikut nga zjarri në 2009.

Vetëm muajin e kaluar, mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga zjarret në ishullin grek të Rodosit, pasi zjarret shpërthyen atje dhe në pjesë të tjera të vendit./Topchannel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne