Arrestohet në Shqipëri kunati i indianëve të kërkuar për pastrim parash që Meta u dha nënshtetësinë

Është arrestuar në Shqipëri, kunati i dy vëllezërve indianë të cilët janë në kërkim ndërkombëtar për pastrim të parave në vlerën 725 mln dollarë. Hitesh Patel, 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri, u arrestua nga shërbimet e policisë në Rinas duke dalë nga Shqipëria, me qëllim ekstradimin drejt Indisë.

Patel rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi në Indi.

Gjykata Patiala  House, ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti për veprën penale “Pastrimi i parave”, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave”.

Policia thotë në një njoftim se veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana.

Hitesh patel është kunati i dy vëllezërve indianë, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të cilët gjithashtu janë në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash. Dy vëllezërit ushtrojnë një aktivitet në fushën e ndërtimit në Shqipëri dhe dyshohet se kanë gjetur terren në vendin tonë për të pastruar paratë.  Jo vetëm që u bënë ndërtues, por ata kanë mundur edhe të marrin nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta

Ata janë të akuzuar për mashtrime bankare nga grupi Sterling Biotech. Sipas mediave të huaja. Patel ishte një instrument për vendosjen e drejtorëve kukulla në kompanitë guacka (fantazmë) qe përdoreshin nga Sandesaras.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne