Arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore, nën vëzhgimin e rreptë të ambasadorëve

Mazhoranca dhe opozita, nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë dhe të paprecedent të tre ambasadorëve, atyre të SHBA, BE dhe MB, kanë arritur marrëveshjen për reformën zgjedhore.

Palët kanë arritur dakordësinë për disa cështje themelore. Është rënë dakord për identifikimin elektronik të votuesve 100%, kërkesë kjo e opozitës, e cila është pranuar nga mazhoranca. Gjithashtu është rënë dakord që KQZ të ketë tre nivele. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike. Kryetari zgjidhet me konsensus, ndërsa nënkryetari do të jetë nga opozita.

Ndërsa lidhur me komisionet zgjedhore, nuk do të ketë asnjë ndryshim dhe ka rënë poshtë ideja e depolitizimit të tyre, kërkesë kjo për të cilën mazhoranca këmbënguli për një kohë të gjatë, por u tërhoq sot.

Mazhoranca ka siguruar se marrëveshja e firmosur, nuk do të pësojë asnjë ndryshim në Kuvendin e Shqipërisë.

Mësohet se marrëveshjen e ka firmosur përveç mazhorancë dhe opozitës edhe Rudina Hajdari, një sinjal se opozita e re, do të votojë në Kuvend këtë marrëveshje.

Kujtojmë se kjo reformë nuk përfshin ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave të deputetëve, kërkesë kjo e 50 mijë qytetarëve që kanë firmosur një peticion të “Nisma Thurje”, lidhur me këtë cështje. Kjo kërkesë u anashkalua nga të gjitha palët, të cilat nuk ishin të interesuar për një reform thelbësore të sistemit, por vetëm arnim të sistemit aktual.

/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne