Opinion

Arsimi publik falas: udhëzues për skeptikët

/Redi Muçi/

Ky udhërrëfyes shtron disa argumente – duke mëtuar t’i flasë skeptikut më kokëfortë – lidhur me nevojën dhe rëndësinë e statusit të arsimit të lartë publik si e drejtë që i takon kujtdo që ka kapacitetin, dëshirën dhe vullnetin për të ndërmarrë rrugën e mundimshme drejt dijes. Autori nuk ka sesi ta shtrijë spektrin e qëllimit të këtij shkrimi deri te “filani” i cili ka interesa të afërta financiare mes tarifimit të arsimimit të lartë dhe xhepit të tij. Sidoqoftë, ai synon të gërryejë sadopak retorikën që “filani” i servir publikut si e vërteta absolute.

Nëse mendon, skeptik, se në jetë asgjë s’është falas prandaj s’ka pse të jetë as arsimi, ia ke fut kot!

Në shtete ku mirëqenia sociale është më e lartë (ato vende ku shqiptarët turren të emigrojnë një orë e më parë) shumë shërbime ofrohen nga shteti falas. Domethënë jo tamam falas, por duke miradministruar të ardhurat e grumbulluara nga mbledhja e detyrimeve në një sistem progresiv taksimi, pra taksave më të larta për pasanikët e më të ulëta për ata në nevojë. Kështu, shërbimi shëndetësor ofrohet falas në shumë vende perëndimore (të kujton gjë premtimi elektoral “shëndetësi falas”?), transporti urban gjithashtu, rezidencat komunale, ndihma sociale për ata në nevojë etj. Për të mos folur pastaj për shërbimet që i marrim si të mirëqena siç janë ai i pastrimit dhe mirëmbajtjes së qytetit, zjarrfikësve, policisë etj. Nëse asgjë s’është falas, atëherë pse transformimi i Sheshit Skënderbej, i të ashtuquajturës Rrugë e Kombit e i të tjera paçavureve që pasuruan një grusht pushtetaro-biznesmenësh ishin “falas”?!

Nëse mendon, skeptik, se arsimi i lartë nuk përfshihet në listën e shërbimeve të mësipërme, ia ke fut kot!

Arsimi i lartë ofrohet falas për këdo – pavarësisht shtetësisë – në Norvegji, Gjermani dhe Francë (nëse injorojmë një tarifë qesharake për standardin e këtyre vendeve që varion nga 150-250 euro). Arsimi i lartë ofrohet falas për shtetasit e BE në Danimarkë, Finlandë, Suedi, Estoni, Spanjë, Austri, Skoci, Slloveni, Sllovaki, Poloni, Greqi, Turqi, Çeki dhe Hungari.[1] Në Islandë shkon 400 euro/vit; në Itali dhe Belgjikë tarifa varion nga 850-1000 euro/vit, që gjithsesi, krahasuar me të ardhurat mesatare mujore – përkatësisht 2930, 1400 dhe 3300 euro – nuk është ndonjë hata e madhe.

Nëse mendon, skeptik, se është tarifa e lartë arsyeja pse universitetet në Britani dhe në Amerikë renditen të parat në botë, ia ke fut kot!

Është e pamundur të gjenden renditje të universiteteve në dekadat para viteve 1980 sepse renditja e parë e brendshme për universitetet amerikane daton më 1983, ndërsa renditja e parë globale më 2003. Afërmendsh, universitetet britanike dhe ato amerikane kanë qenë gjithmonë ndër më të mirat në botë. Megjithatë, ato nuk kanë qenë gjithmonë më të shtrenjtat. Madje, madje kanë qenë falas! Në Britani, me vendimin e vitit 1962, universitetet jo vetëm u bënë falas, por qeveria paguante edhe një ndihmë ekonomike për jetesën e studentëve.[2] Madje, madje deri në vitin 1981 kur në pushtet erdhi “zonja e hekurt”, tarifa ishte falas edhe për të huajt që studionin në Britani.[3] Në vitin 1988 zonja Thatcher filloi një valë reformash (shumë të ngjashme me reformën ‘edramiste’ në arsimin e lartë) që synonin vendosjen e tarifave për studentët britanikë dhe mbulimin e shpenzimeve përmes kredive studentore. Megjithatë u desh një kohë e gjatë që këto reforma të gjenin zbatim – deri në vitin 1997 – kur beniamini i zonjës Thatcher, Tony Blair-i (beniamini i të cilit është Edi Rama), vendosi që studimet të financoheshin nga vetë studentët, në varësi të të ardhurave familjare. Kjo skemë, sidoqoftë, përjashtonte 1/3-ën e studentëve nga barra e tarifës.[4] Pasardhësit e Blair-it sigurisht që vazhduan rrugën e nisur. Në anën tjetër të Atlantikut, shumica e universiteteve ishin falas në momentin e themelimit të tyre. Zgjerimi i kërkesës për arsimim dhe rritja e kostove bëri që të vendoseshin tarifa në disa universitete.[5] Sidoqoftë, vendosja e tarifave nuk u shtri kurrë në të gjithë vendin, por mbeti kryesisht si vendimmarrje e shteteve federale. Kështu, deri në fillimin e Luftës së Vietnamit shumica e universiteteve në SHBA ishin falas.[6] Madje ato përbënin vatrat kryesore të rezistencës sociale kundër luftës. Me gjithë tarifimin e studimeve pas kësaj periudhe, nuk duhet harruar roli i shtetit amerikan në financimin e kërkimit dhe novacionit shkencor, kryesisht për llogari të Pentagonit, që solli shpikjen e shumë teknologjive që përdorim të gjithë ne sot, që nga interneti e deri te pjesët përbërëse të një celulari i-phone – të gjitha këto risi teknologjike të financuara nga grantet shtetërore.

Nëse mendon, skeptik, se studentët amerikanë e britanikë janë më të lumturit në botë sepse studiojnë në shkollat më të mira në botë, ia ke fut kot!

Tendenca për rritjen e tarifave të shkollimit, çka efektivisht përjashton pjesën dërrmuese të popullsisë nga universiteti, u kundërpeshua nga logjika e borxhit studentor. Një logjikë kjo jo fort e mirëmenduar nga ministri i Arsimit në kohën e Thatcher-it i cili, pas një pauze të gjatë, iu përgjigj pyetjes së gazetarit se si do të përballohej ky borxh me: “Të them të drejtën, nuk më kishte shkuar ndër mend … Sidoqoftë, sot të gjithë janë në borxhe. Apo jo?!”[7] Borxhi studentor në Britani ka kapur shifrën e 100.5 miliardë sterlina (113.99 miliardë euro), ku çdo student mbart një borxh prej 32.220 sterlina[8], ndërsa në SHBA borxhi studentor është më i madh edhe se borxhi i kartave të kreditit (si edhe në Britani) dhe është i dyti vetëm pas borxhit të sektorit të pasurive të paluajtshme, me një shifër prej 1.48 trilionë dollarë (1.21 trilionë euro). 44.2 milionë studentë amerikanë mbajnë sot mbi shpinë një vlerë mesatare prej afro 37.000 dollarësh.[9] Borxhin me të cilin studenti i diplomuar del nga dyert e universitetit, duhet ta shlyejë në momentin kur fillon jetën profesionale, për të vazhduar për 30 vjetët e ardhshëm, çka me një llogari të thjeshtë i bie deri pak para daljes në pension. Reagimet studentore nuk kanë munguar. Sidomos pas rritjes së tarifave në vitin 2010, në Britani protestat studentore vazhduan gjatë e madje u bënë të dhunshme.[10] Në vitin 2015 qindra mijëra studentë nga 100 universitete të ndryshme në SHBA protestuan për tre kërkesa bazë: a) zerimin e tarifës së studimit për një arsim publik falas, b) zhdukjen e borxhit ekzistues studentor dhe c) rritjen e pagës minimale në 15 dollarë për punëtorët e mirëmbajtjes nëpër universitete.[11] Kërkesa për arsim publik falas tregohet edhe në mbështetjen e të rinjve në zgjedhjet e fundit për Bernie Sanders-in në SHBA dhe Jeremy Corbyn-in në Britani. Dy kandidatët shpallën hapur gjatë fushatës synimin për zerimin e tarifave të studimit. Sanders-i mori votën e rreth 2 milionë amerikanëve nën moshën 30 vjeç, numër ky më i madh sesa mbështetja e të njëjtës grupmoshë për dy kandidatët e tjerë, Clinton dhe Trump, të marrë së bashku (1.6 milionë).[12] Në Britani, 2/3 e grupmoshës 18-25 vjeç votuan për Corbyn-in, ashtu si edhe më shumë se gjysma e grupmoshës 25-34 vjeç.[13]

Nëse mendon, skeptik, se pavarësisht gjithçkaj, arsimi publik falas është një ide e dalë mode në botën ku jetojmë, mendo edhe një herë!

Njeriu është qenie sociale dhe një shoqëri është aq e begatë, sa ç’janë krijues dhe prodhues individët në të. Prandaj ofrimi i mundësisë për çdo pjesëtar të shoqërisë që të shfrytëzojë në maksimum kapacitetin e saj/tij mendor, nuk i shërben vetëm individit që e fiton këtë të drejtë, por krejt shoqërisë. Sigurisht kjo ide shkon kundër mentalitetit “Po u bënë të gjithë filozofë e mjekë, kush do t’i fshijë rrugët?!” Argumenti im është që një filozof apo mjek me fshesë në dorë i vlen më shumë shoqërisë sesa një fshesar me kokën bosh. E nëse, i dashur skeptik, skandalizohesh nga ideja se mjeku apo filozofi do duhej të kapnin fshesën në një shoqëri të emancipuar intelektualisht ku kjo punë – ndryshe nga sot – nuk do mund të kryhej më nga një ushtri injorantësh të cilëve u shfrytëzojmë fuqinë fizike, mendo për ndjenjën e solidaritetit social dhe lidhjen me ambientin dhe hapësirën publike që do të sillte një akt i tillë. E nëse s’të bind ky argument sepse kundërmon nga “puna vullnetare” e një të shkuare të hidhur, imagjino një rast kur të bijës së një fshesari iu dha mundësia për të studiuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanikës, duke u shkëputur kështu nga tradita familjare e skamjes dhe e fshesës. Imagjino sikur ajo ia doli të mbarojë shkëlqyeshëm, e madje vazhdoi edhe studimet e doktoraturës, me financim nga taksapaguesit, për zbulimin e një makinerie e cila i fshin rrugët e Shqipërisë pa praninë e një fshesari. Kështu ia hoqëm turpin e fshesës edhe filozofit, edhe mjekut. Po ndoshta po harbohem shumë me imagjinatën për shoqërinë që do të jetë. Ndoshta do të mjaftonte që skeptikut t’i përmendja faktin se idenë e arsimit publik falas po e hedh edhe ajo që s’ta priste kurrë mendja, LSI[14] dora vetë, e cila e votoi, miratoi dhe bekoi reformën famëkeqe në arsim sa kohë ishte e ulur në kolltuk. Mbase, kushedi, ky argumenti i fundit, i dashur skeptik, të bind se arsimi publik falas është një ide të cilës i ka ardhur koha.

Shënime:

[1] http://www.study.eu/article/study-in-europe-for-free-or-low-tuition-fees, https://www.topuniversities.com/student-info/studying-abroad/where-can-you-study-abroad-free dhe

http://www.politifact.com/florida/statements/2016/feb/09/bernie-s/was-college-once-free-united-states-and-it-oversea/

[2] https://www.theguardian.com/education/2010/oct/12/tuition-fees-student-finance-history

[3] http://www.telegraph.co.uk/education/educationopinion/9979999/How-Margaret-Thatcher-transformed-our-universities.html

[4] https://www.ukessays.com/essays/economics/tuition-fees-in-england-economics-essay.php

[5] http://www.politifact.com/florida/statements/2016/feb/09/bernie-s/was-college-once-free-united-states-and-it-oversea/

[6] https://www.huffingtonpost.com/harlan-green/what-happened-to-tuition_b_10240514.html

[7] Shih referencën [2]

[8] https://www.theguardian.com/money/2017/jun/15/uk-student-loan-debt-soars-to-more-than-100bn

[9] https://studentloanhero.com/student-loan-debt-statistics/

[10] https://www.theguardian.com/education/2010/nov/10/student-protest-fees-violent

[11] https://www.telesurtv.net/english/news/National-US-Student-Protests-Against-High-Tuition-Fees-20151112-0028.html

[12] https://www.washingtonpost.com/news/the-fix/wp/2016/06/20/more-young-people-voted-for-bernie-sanders-than-trump-and-clinton-combined-by-a-lot/?utm_term=.26c53b75ddba

[13] http://www.independent.co.uk/news/uk/politics/election-2017-young-voters-jeremy-corbyn-turnout-labour-voters-conservative-poll-lord-ashcroft-tory-a7783076.html

[14] https://www.facebook.com/floidakerpaci/posts/1573215936129118

OPINIONE