Asociacioni kurd në Siri mbështet operacionin e Turqisë

Kurdët sirianë mbështesin operacionin “Burimi i Paqes” të Turqisë për të shkatërruar korridorin terroristë në kufirin jugor, thuhet në kumtesën e Asociacionit të Pavarur Kurd në Siri (SBKR).

“PKK dhe dega e saj në Siri kanë tërhequr jo vetëm kurdët por të gjitha pjesët në rajon drejt katastrofës”, thuhet në kumtesë.

“Për të arritur zonën e sigurt, e cila ishte kërkesë kombëtare e revolucionit sirian, si dhe për të shpëtuar nga organizatat terroriste në rajon, ne shpallim mbështetje për operacionin Burimi i Paqes”, thuhet gjithashtu në kumtesë.

Grupi gjithashtu i bën thirrje popullit në rajon që të qëndrojnë larg zonave ushtarake dhe të mos braktisin shtëpitë e tyre.

“Mos e ndiqni diskursin provokativ që shpërndahet nga PKK/PYD”, këshillojnë nga grupi.

SBKR është e njohur për kundërshtimin e grupit terrorist YPG/PYD.

Abdulaziz Temmo vitin e kaluar në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se YPG/PKK “nuk u shërben dhe nuk i përfaqëson kurdët”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të mërkurën njoftoi se forcat turke bashkë me Ushtrinë Kombëtare Siriane (SNA) filluan operacionin “Burimi i Paqes” kundër terroristëve të PKK/YPG dhe DEASH në Sirinë veriore.

Operacioni u fillua në lindje të lumit Eufrat në Sirinë veriore për të siguruar kufijtë e Turqisë duke eliminuar elementet terroriste dhe duke siguruar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Turqia ka thënë se grupi terrorist PKK dhe dega e saj YPG/PYD përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e Sirisë, duke rrezikuar integritetin territorial dhe strukturën unitare të vendit.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne