Aspak keqardhje për tërheqjen e Amerikës dhe Izraelit nga UNESCO

Ky shantazh racist nuk do ta frikësojë organizatën dhe as do ta shtyjë atë të tërhiqet nga qëndrimi i saj i nderuar në mbështetje të të qenit arab të Kudsit të pushtuar. A vjen ky hap për të rrëzuar kandidatin arab në favor të rivales së tij franceze? Si do të jetë reagimi i arabëve apo pjesës së tyre të mbetur?

Abdul-Bari Atuan

Me anë të vendimit për tërheqjen zyrtarisht nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) për shkak të “animit të saj kundër regjimit sionist”, Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë qëndrimin e tyre në hendekun e gënjeshtrës dhe mbështetjen ndaj racizmit, pushtimit dhe krimeve të luftës të kryera nga ky pushtues në territoret e pushtuara arabe prej pothuajse 70 vjetëve. Ky vendim i një shteti që pretendon udhëheqjen e botës së lirë dhe luftën kundër terrorizmit është pikërisht ai do të përshkallëzojë terrorin, do të vrasë kulturën e tolerancës, zhvillimin e arsimit dhe ruajtjen e trashëgimisë humane dhe do të nxisë ekstremizmin në mbarë botën.

“Mëkati” më i madh i kryer nga kjo organizatë ndërkombëtare e respektuar, për të cilin ndëshkohet nga Amerika, është pranimi i shtetit të Palestinës si një anëtar i saj dhe miratimi në nëntor të vitit 2016 të Xhamisë Al-Aksa si trashëgimi e pastër islame që nuk ka të bëjë asgjë me hebrenjtë dhe as me regjimin racist të tyre mbi qytetin e pushtuar, si dhe dënimi i autoriteteve pushtuese izraelite për punimet e gërmimit që po kryen në të, duke shënjestruar një pjesë të Xhamisë Al-Aksa.

“Udhëheqësja” e botës së lirë demokratike i refuzon këto rezoluta të lëshuara pas një votimi të lirë, të drejtë e transparent ku morën pjesë të gjitha shtetet anëtare, në një organizatë të kryesuar nga zonja bullgare Irina Bokova, e cila është zgjedhur për dy mandate me radhë për neutralitetin, guximin dhe animin e saj kah çështjet e drejta kulturore e humanitare.

***

Regjimi okupator sionist tërhoqi ambasadorin e tij në UNESCO në shenjë proteste, pasi dështuan të gjitha përpjekjet e tij për të parandaluar miratimin e rezolutave të tilla. Me të u solidarizuan Shtetet e Bashkuara, të cilat pezulluan të gjitha ndihmat financiare dhe ja tek i shohim të tërhiqen tërësisht nga organizata dhe të provojnë se ato janë më shumë sioniste se vetë sionistët.

Pyetja që shtrohet fort tani në korridoret e Kombeve të Bashkuara është rreth shkaqeve të vendimit të SHBA-ve për t’u tërhequr në një kohë kaq të veçantë, kohë në të cilën organizata po përjeton zgjedhje të rëndësishme dhe kritike për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm. Konkurrenca kufizohet mes tre konkurrentëve, mes të cilëve dy arabë: katarioti dr. Hamad Al-Kuwari dhe egjiptiania Mouchira Khattab, krahas francezes me origjinë marokeno-hebreje Audrey Azoulay, e bija e z. André Azoulay, këshilltar i mbretit Mohammed VI dhe i babait të tij të ndjerë Hassan II.

Raundi i tretë i votimit të fshehtë zbuloi daljen në krye të garës të dy kandidatëve: atij kataras dhe asaj franceze, pasi secili prej tyre mori 18 vota, duke u pasuar direkt nga kandidatja egjiptiane me 13 vota dhe pritet që votimi i fshehtë të vazhdojë në raunde të tjera deri të premten.

Tërheqja amerikane dhe koha e kësaj tërheqjeje e llogaritur me kujdes, shkon në interes të kandidates franceze, e cila thekson në programin e saj elektoral mungesën e mbështetjes për politizimin e organizatës UNESCO dhe përqendrimin vetëm në çështjet kulturore, shkencore e arsimore, duke aluduar për kundërshtimin e saj të vendimit për të mohuar çdo lidhje të regjimit sionist dhe hebrenjve me qytetin e shenjtë dhe me xhamitë e kishat e tij. Si mund të veçohet kultura dhe arsimi nga politika në territore të pushtuara, ku shkollat dhe nxënësit e tyre ekspozohen ndaj bombardimit dhe shkatërrimit – siç shohim në Rripin e Gazës – dhe xhamitë e kishat e saj ekspozohen ndaj të njëjtave?!

Ishte e natyrshme që qeveria regjimi sionist të ishte – sipas fjalëve të ambasadorit të saj në Kombet e Bashkuara, Danny Yatom – e para (dhe ndoshta e fundit) mikpritëse e tërheqjes së Amerikës nga organizata menjëherë pasi u akuzua për armiqësi ndaj regjimit sionist, duke shtuar, pra ambasadori, “ne tani ndodhemi para një epoke të re” duke u mburrur me fjalën e tij se “ekziston një çmim që duhet paguar për diskriminimin kundër regjimit sionist”.

Administrata amerikane dënon veten dhe “shtie mbi këmbët e saj” duke hedhur këtë hap kërcënues ndaj një prej organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare në aspektin e paanshmërisë dhe të mbështetjes së kulturës së dialogut dhe tolerancës kulturore e humane, më aktives dhe më të pavarurës në Kombet e Bashkuara.

Ky vendim tërheqjeje nuk është i huaj për një administratë amerikane që udhëhiqet nga presidenti Donald Trump, i cili tregoi urrejtje raciste kundër myslimanëve dhe amerikanëve me prejardhje latine e afrikane dhe anoi plotësisht në anën e së djathtës raciste amerikane.

Ky shantazh i shpifur nuk do t’i terrorizojë shtetet anëtare të organizatës UNESCO dhe nuk do ta shfajësojë regjimin sionist nga krimet e luftës dhe praktikat e racizmit në territoret e pushtuara arabe. Ai ekspozon fytyrën raciste amerikane që anon kah regjimi sionist dhe krimet e tij në hebreizimin e qytetit të shenjtë dhe përpjekjen për të shkatërruar kishat arabe dhe xhamitë arabe e islame. Amerika u tërhoq nga organizata dhe ngriu ndihmat e saj në kohën e kryetarit të saj senegalez Ahmed Mokhtar Ambo dhe UNESCO mbeti kryelartë përballë arrogancës amerikane duke shtuar forcën dhe pavarësinë.

***

Le të tërhiqet regjimi sionist racist nga UNESCO-ja dhe le të bashkohet me liderin e racizmit, vrasjes dhe shkatërrimit në botë, Shtetet e Bashkuara. Nuk ka keqardhje për ta. Ne jemi të bindur se statusi i organizatës dhe e ardhmja e saj do të jenë shumë më të mira nën hijen e mungesës së tyre. Ata ishin si dhëmballa e infektuar dhe e kalbur mes dhëmbëve të saj të fuqishme e solide.

Ne, si arabë, e kemi për detyrë të mbajmë qëndrim fisnik, burrëror dhe të guximshëm në krah të kësaj organizate, t’i lëmë mënjanë mosmarrëveshjet tona të vogla e të turpshme dhe të ofrojmë ç’të mundim për të plotësuar të gjitha deficitet e saj financiare pa marrë parasysh sa të mëdha dhe gjigante janë për shkak të tërheqjes amerikane, veçanërisht kur disa prej qeverive tona shpenzojnë qindra miliarda në marrëveshje armësh, gjysma e të cilave shkon për ryshfete korruptuese për sekserët arabë dhe joarabë.

Ajo që ka nevojë kjo organizatë për të plotësuar deficitet e saj nuk është më shumë se vlera e disa avionëve luftarakë dhe ajo e një sasie raketash Patriot, një prej të cilave kushton 3.000.000 dollarë dhe që përdoret për të ulur një avion dron pa pilot, vlera e të cilit shkon jo më shumë se 300 dollarë në Jemen apo gjetkë.

Amerika dhe regjimi sionist tërhiqen nga një organizatë që thekson identitetin arab e islam të Kudsit, paligjshmërinë e okupimit të tij dhe të pushtimit sionist mbi të. A nuk është e denjë kjo organizatë për një mbështetje bujare arabe e islame dhe për një qëndrim solidarizues, të guximshëm e burrëror?

Përgjigjen jua lëmë juve dhe udhëheqësve të cilët thonë se janë arabë e myslimanë dhe që e konsiderojnë Kudsin e pushtuar si kiblën e parë dhe Aksanë e tij si xhaminë e tretë të shenjtë pas Dy Xhamive të Shenjta (në Mekë e në Medine).

*Analizë e publikuar më datë 12.10.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne