Assange dënohet me 50 javë burgim

Gjykata britanike ka dënuar me 50 javë burg themeluesin e WikiLeaks-it, Julian Assange, me akuzën se ka shkelur lirimin me kusht në vitin 2012.

Ai u shpall fajtor për shkeljen e aktit të lirimit me kusht në Britani të Madhe, vetëm pasi muajin e kaluar u arrestua në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Assange u arrestua nga shkaku se Ekuadori kishte vendosur ta dëbonte nga godina e ambasadës, e cila ishte një vendbanim i tij në shtatë vitet e fundit.

Policia britanike tha se ai është arrestuar sepse në vitin 2012 shkeli lirimin me kusht pasi SHBA-të kërkonin ekstradimin e tij.

Autoritetet gjyqësore britanike në ditët në vijim do të shqyrtojnë kërkesën për ekstradim në SHBA.

Pas arrestimit, kreu i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn tha se Assange nuk duhet të ekstradohet në SHBA.

“Ekstradimi i Julian Assange në SHBA për shkak të ekspozimit të provave të mizorive në Irak dhe Afganistan duhet të kundërshtohet nga qeveria britanike”, tha Jeremy Corbyn në rrjetin social Twitter disa orë pas arrestimit të Assange.

Assange ka qëndruar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për gati shtatë vjet që kur kërkoi azil diplomatik në qershor të vitit 2012, pasi kërkohej nga prokurorët suedezë me akuza për abuzime seksuale.

Suedia ka rrëzuar akuzat kundër tij, por Assange mbeti sërish në ambasadë nga frika e ekstradimit në SHBA me akuzat për publikimin nga WikiLeaks të dokumenteve të fshehta të qeverisë amerikane. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne