Auron Tare: Galeria më e mirë në botë shiti pikturën identifikuese të shqiptarëve të Egjyptit… po ne patriotët ku ishim?!

Sa herë që luan futboll Shqipëria plasin këngët patriotike. Vërshon birra rrugëve. Shiten bluza të stampuara në Kinë me flamur shqiptar. Emigrantët që vijnë në verë plasën duke bërë shqiponjën me duar e këmbë. Ndonjë shqipo që ka miq këta mavrit i kërkon tu bëjë shqipen me gishta për ta hedhur në Facebook.

Askush nga shqipot patriotë apo kultura jonë patriotike me daulle dhe flamurë nuk ka ende një projekt apo ide për të mbledhur visaret e kulturës shqiptare të shpërndara nëpër botë. Ndërkohë bota e qytetëruar mbledh ngadalë në heshtje pa zhurme visare të kulturës botërore me motive të shqiptarëve të dikurshëm.

Nejse kot e kisha këtë hyrje sa për të shfryrë inatin. Që ta marrim vesh ne shqipot, në një nga galeritë me të mira në botë, Sothby, u shit një nga pikturat më identifikuese të shqiptarëve të Egjyptit. Piktura e Frederik Arthur Bridgman me titull “Falja ne Xhaminë e Kairos” pikturuar 1876, menjëherë pas kthimit të tij nga Egjypti.

Kjo galeri kishte nxjerrë në shitje edhe një skice / bocet të pikturës se famshme të Zheromit “Prijësi i Arnautëve” po nga motivet e shqiptarëve të Egjyptit. Nejse kot edhe unë që pyes.

Se mos u kujtua ndonjë nga Ministria e Kulturës për të pyetur? Jo për gjë, por këto Ambasadat tona jashtë kanë edhe Atashe Kulturor. Largqoftë ndonjë nga këta zengjinet e rinj që fitojnë miliona euro të parave publike t’u shkonte mendja ta blinin dhe t’a dhuronin publikut shqiptar.

Kot edhe unë, çfarë lidhje kanë patriotët tanë me këto gjera? Mjafton kënga e Adem Jasharit ne Stadium dhe ndihemi mirë me patriotizmin tonë të kulluar…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne