Austria heq termin “Islam politik” nga projektligji i diskutueshëm

Qeveria e koalicionit në Austri të mërkurën rishikoi projektligjin e diskutueshëm të anti-terrorizmit, duke përdorur frazën “ekstremizëm i motivuar fetarisht” në vend të “Islamit politik”.

Pas takimit të kabinetit, ministri i Brendshëm Karl Nehammer, ministrja e Drejtësisë, Alma Zadiç dhe ministrja e Integrimit Susanne Raab njoftuan pakon e masave të anti-terrorizmit një muaj pasi kryeqyteti i tyre Vjena u godit nga një sulm terrorist.

Ministri i Brendshëm, Nehammer tha se do të përpilohet një “listë e terrorizmit” nëse ligjvënësit miratojnë projekt-ligjin e ri.

Ai shtoi se ligji ekzistues për simbolet në vend nga viti 2014 do të rishikohet gjithashtu për të përfshirë simbolet e lëvizjeve raciste.

Ministrja Zadiç tha se vendi do të përdorte frazën “ekstremizëm i motivuar fetarisht” në luftën kundër ekstremizmit në vend të “Islamit politik”, një term i përdorur më parë nga kancelari austriak, Sebastian Kurz si vepër penale, duke provokuar polemika dhe kritika të ashpra nga komuniteti musliman në vend.

Ajo tha se personat e dënuar ose të liruar me kusht për akuzat e terrorizmit do të mbajnë një byzylyk elektronik, duke shtuar se për masat mbrojtëse dhe parandaluese nga terrorizmi është ndarë një buxhet prej 6 milionë eurosh.

Ndryshimet në ligj do të sigurojnë një bazë të re ligjore për mbylljen më të lehtë dhe më të shpejtë të xhamive që konsiderohen të radikalizuara.

Projektligji i ri do të shqyrtohet nga komisioni gjashtë javë para se të finalizohet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne