Austria mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Dhurata Hoxha, sot ka pritur në takim ministrin e Austrisë për Bashkimin Evropian (BE), Art, Kulturë dhe Media, Gernot Blümel.

Në një konferencë të përbashkët për media pas këtij takimi, ministri austriak tha se shteti i tij gjatë periudhës së Presidencës së BE-së angazhohet që Kosova dhe Ballkani Përëndimor t’i çojnë përpara reformat, ku sipas tij, shumë gjëra janë bërë në këtë drejtim, por ka ende shumë tjera për t’u bërë. Ai po ashtu shtoi se Austria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën ashtu siç ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit.

Ministri Blümel tha se zgjidhja e përbashkët e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë mund të jetë model edhe për zgjidhjet tjera të përbashkëta me dialog, duke shtuar se kanë shumë shpresa edhe për dialogun Prishtinë-Beograd, sepse sipas tij, këto sfida mund të gjejnë zgjidhje vetëm përmes bisedimeve.

“Ne kemi një qëndrim të qartë, nëse dy shtetet pajtohen për një zgjidhje të përbashkët dhe paqësore ne nuk e pengojmë apo nuk e bllokojmë atë zgjidhje”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për çështjen e mundësisë së korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai rikujtoi se Parlamenti Evropian ka votuar me shumicë më të madhe për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe shtoi se tani është çështja që vendet anëtare të ecin një hap përpara. “Ne e mbështesim këtë proces dhe shpresojmë se këtë ta arrijmë edhe gjatë presidencës sonë”, tha ai.

Ministrja Hoxha tha se Austria është një nga partnerët më të fuqishëm dhe përkrahës të Republikës së Kosovës posaçërisht në procesin e integrimit evropian. Ajo falënderoi ministrin austriak për përkrahjen e madhe gjatë procesit të liberalizimit të vizave dhe kërkoi përkrahjen e Austrisë për përshpejtimin e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

“Gjithashtu kam kërkuar nga ministri që përkrahja e Austrisë gjatë presidencës austriake të vazhdojë deri në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, çka është shumë me rëndësi sepse tani kemi mbetur tek hapi i fundit që është vendimmarja tek vendet anëtare, pra në Këshillin e Ministrave dhe përkrahja e presidencës austriake është kyçe në përmbylljen me sukses të këtij procesi”, tha Hoxha.

Ajo shtoi se kanë përkrahjen e Austrisë për përmbylljen e procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, tani është e rëndësishme që të shfyrtëzohet ky momentum i mirë që është ndërtuar në rajon, me referundimin në Maqedoni dhe me marrëveshjen që u arrit në mes të Greqisë dhe Maqedonisë.

Kujtojmë se ministri austriak Blümel në kuadër të vizitës së tij në Kosovë është pritur në takim edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne