Avionët izraelitë bombardojnë Gazën

Izraeli dje në orët e mbrëmjes ka nisur një sulm ajror ndaj disa objektivave në Gaza, me pretendimin se kjo është një përgjigje për raketat e hedhura nga Gaza në anën e Izraelit.

Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se avionët luftarakë dhe helikopterët kanë goditur 80 objektiva të Hamasit në Gaza.

Në deklaratë thuhet se këto sulme janë përgjigje ndaj raketave të hedhura nga Gaza.

Po ashtu njoftohet se që nga orët e mbrëmjes të ditës së djeshme nga Gaza në anën e Izraelit janë hedhur 30 raketa dhe se 10 prej këtyre janë neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Sipas deklaratës izraelite shumica e raketave tjera kanë rënë në fusha të zbrazëta.

Për shkak të raketave të cilat thuhet se janë hedhur nga Gaza, në anën e Izraelit kohë pas kohe është dëgjuar zëri i sirenave.

Është dëmtuar spitali

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Eshref el-Kudra deklaroi se si pasojë e një sulmi izraelit ndaj një pike ushtarake në afërsi të spitalit ‘Indonezia’ në veri të Gazës, kanë ndodhur dëme në spital.

Ai dënoi sulmin dhe u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që t’i mbrojnë institucionet dhe stafin shëndetësor kundër sulmeve izraelite në Gaza.

Dëshmitarët e rastit njoftojnë se si pasojë e dëmeve të shkaktuara, xhamave të thyera disa persona kanë pësuar plagë të lehta.

Nuk ka të vdekur

Burimet shëndetësore palestineze në Gaza njoftojnë se deri më tani nuk është raportuar për të vdekur nga bombardimet e Izraelit.

Ndërsa Lëvizja Xhihadi Islamik në Gaza ka thënë se grupet e rezistencës nuk do të qëndrojnë duarkryq ndaj masakrimit të njerëzve të pafajshëm nga Izraeli.

Në një deklaratë nga Xhihadi Islamik thuhet se “Rezistenca ka paralajmëruar lidhur me marrjen në objektiv të civilëve por forcat pushtuese vazhduan të luajnë me jetën e njerëzve nën rrethim”.

Në protesta 5 dëshmorë, 180 të plagosur

Në protestat e mbajtura dje në kufirin me Gazën, si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri nga ushtarët izraelitë, 5 palestinezë ranë dëshmorë ndërsa 180 të tjerë janë plagosur me plumba të vërtetë.

Burimi: Mesazhi.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne