Bota

Avionët izraelitë godasin televizionin Al Aksa

Izraeli ndërmori sulm ajror ndaj qendrës së kanalit televiziv “Al Aksa” të Hamasit.

Avionët luftarakë izraelitë hodhën dhjetë raketa në drejtim të qendrës së televizionit në Gaza, duke e rrënuar atë në tërësi.

Transmetimi i televizionit u ndërpre për një kohë të shkurtër si pasojë e shkatërrimit, ndërsa vazhdoi nga një qendër tjetër më pas.

Shumë ndërtesa përreth u dëmtuan si pasojë e sulmeve të Izraelit.

Ndërkohë, Hamasi reagoi ndaj sulmit, duke e quajtur atë si “agresion barbar që reflekton mendësinë vrastare të Izraelit armik”.

Përmes një deklarate me shkrim, zëdhënësi i Hamasit Fevzi Berhum u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe organeve ligjore dhe mediatike ta dënojnë këtë “sulm të rrezikshëm”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i lëvzijes Xhihadi Islam, Davud Shihab, në një deklaratë me shkrim e cilësoi sulmin ndaj qendrës së kanalit televiziv si “shkelje të rrezikshme”.

Shihab theksoi se sulmi do ta forcojë edhe më shumë rezistencën palestineze.

Sulmi është dënuar edhe nga Sindikata e Gazetarëve Palestinezë.

Ndryshe, tre palestinezë ranë dëshmorë, ndërsa nëntë të tjerë u plagosën pasi forcat izraelite nisën një sulm të armatosur në Gaza në orët e mbrëmjes pasi nga Gaza u hodhën raketa ndaj vendbanimeve kolone hebreje në afërsi.

Ushtria izraelite tha se nga orët e mbrëmjes nga Gaza janë shkrepur afër 200 raketa, prej të cilave 60 janë neutralizuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore “Kupola e Hekurt”, kurse pjesa më e madhe e raketave të tjera kanë rënë në hapësira të zbrazëta.

Ndërkaq, siç u njoftua, 21 izraelitë janë plagosur nga raketat e hedhura nga Gaza, prej të cilëve njëri, që u raportua të jetë ushtar, është plagosur më rëndë./ AA

OPINIONE