Shqiperia

Avokati i Popullit i kërkon Gjykatës Kushtetuese t’i heqë policisë të drejtën për të gjurmuar qytetarët

Avokati i Popullit i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë nenin e ligjit për Policinë e Shtetit që lidhet me kompetencat e gjurmimit të qytetarëve në rrethana të ndryshme. Në kërkesë thuhet set ky nen bie në kundërshtim me kushtetutën e vendit dhe të drejtat e njeriut duke cenuar rëndë liritë themelore.

Sipas Avokatit të Popullit ky nen gjithashtu cenon garancitë kushtetuese të mbrojtjes së individit dhe detyrimin e strukturave të Policisë së Shtetit për asgjësimin e të dhënave të mbledhura.

“Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një neni të ligjit “Për Policinë e Shtetit” që lidhet me dhënien Policisë të disa kompetencave që lidhen me veprimtari infomative gjurmuese të qytetarëve në rrethana të ndryshme.

Avokati i Popullit konstatoi dhe vlerësoi se neni 8 i ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar” vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Përmbajtja dhe zbatimi i këtij neni cenon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e krijon premisa që ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve kompetente. Gjithashtu ai cenon dhe eleminon garancitë kushtetuese dhe mjetet ligjore të mbrojtjes së individit, si kontrollin gjyqësor, kufijtë e përgjimit, mbikëqyrjes e gjurmimit dhe kohëzgjatjen e aplikimit të këtyre masave si dhe detyrimin e strukturave të Policisë së Shtetit për asgjësimin e të dhënave të mbledhura.

Për këto arsye të qenësishme Avokati i Popullit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 18.02.2021 me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe KEDNJ, të nenit të sipërpërmendur; si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij neni”, thuhet në kërkesë.

OPINIONE