Bota

Avokati i shquar izraelit i paqes Uri Avnery vdes në moshën 94 vjeçare

Uri Avnery, një gazetar dhe aktivist i paqes izraelit dhe një nga të parët që ka mbrojtur hapur çështjen për një shtet palestinez dhe ka nxitur polemika duke u takuar me Yasser Arafat, ka vdekur. Ai ishte 94 vjeç.

Avnery vdiq të hënën në një spital të Tel Aviv pasi pati një goditje në tru.

Për dhjetra vite, ai ishte një simbol i kampit të paqes izraelite, i njohur lehtësisht nga mjekra e tij e dendur dhe e bardhë. Një anëtar i brezit themelues të Izraelit, luftoi në luftën e tij të pavarësisë para se të bëhej botues, anëtar i parlamentit, autor dhe aktivist.

I vlerësuar nga shumë njerëz si shtylla kurrizore e lëvizjes paqësore të Izraelit, Avnery kurrë nuk humbi shpresën e arritjes së një marrëveshje me palestinezët.

Por, para se të bëhej një aktivist i shquar i paqes, ai ishte një ushtar dhe madje pjesë e një milicie të krahut të djathtë.

Lindur në shtator 1923 në Beckum, Gjermani si Helmut Ostermann, Avnery emigroi në Palestinë gjatë mandatit britanik me familjen e tij në moshën 10 vjeç, duke u arratisur nga nazizmi.

Në vitin 1950, themeloi një revistë të pavarur javore, Haolam Hazeh, të cilën e redaktoi për 40 vjet.

Gazeta kundër establishmentit, e vetmja në atë kohë e cila nuk drejtohej nga një parti politike, kishte një ndikim të konsiderueshëm në shtypin izraelit.

Ai themeloi një lëvizje politike në vitin 1965 dhe u zgjodh në parlamentin e Izraelit, ku ai shërbeu tetë vjet.

Në vitin 1979 ai u votua si pjesë e një lëvizjeje të ndryshme dhe kaloi dhe dy vjet si një ligjvënës përpara se të jipte dorëheqjen.

Në Luftën e Libanit të vitit 1982, ai penetroi në mënyrë spektakolare në Bejrutin e rrethuar për të folur me ish-armikun e Izraelit, kryetari i PLO (OÇP) Yasser Arafat, duke shkaktuar një stuhi zjarri në Izrael.

Avnery sfidoi qeveritë e njëpasnjëshme izraelite duke argumentuar se një shtet palestinez, ishte e vetmja mënyrë për të siguruar paqen për një Izrael demokratik me një shumicë hebraike.

Ndërsa ishte adoleshent Avnery ishte një anëtar i Irgun, një milici sioniste e krahut të djathtë që luftoi si arabë vendas ashtu dhe sundimtarë britanikë të Palestinës përpara deklaratës së njohjes së shtet të Izraelit të vitit 1948.

Ai nuk kishte asnjë keqardhje për përkatësinë e tij ndaj këtij grupi.

“Unë luftoja për lirinë e popullit tim kundër pushtuesve britanikë”, shprehu ai. “Për të njëjtat arsye, gjithmonë mendova se palestinezët kishin të drejtë për pavarësinë dhe lirinë e tyre”.

Avnery i kishte dhënë shtysë, që nga fundi i luftës së parë arabo-izraelite e cila filloi në vitin 1948, krijimit të një shteti palestinez së bashku me Izraelin si një mjet për të sjellë paqen.

Kryetarja e opozitës, Livni, nga Bashkimi Sionist i qendrës së majtë, e quajti Avneryn “një gazetar i guximshëm dhe një njeri i rrallë, rishtar”. Ajo tha se ai mbajti “parimet e tij pavarësisht nga sulmet dhe mbolli në zemrat izraelitëve mendimet për paqe dhe moderim, edhe kur ata nuk ishin në rend të ditës”.

Presidenti Reuven Rivlin tha se mosmarrëveshjet e tij themelore me Avneryn “u zvogëluan në dritën e ambicies për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe të fortë këtu”.

Ai qëndroi një mbështetës i fortë i Arafatit edhe për shumë kohë pasi pjesa më e madhe e Izraelit, hoqi dorë nga ai si një partner paqeje pas shpërthimit të dhunës palestineze në fillim të viteve 2000. Kampi i paqes i Izraelit është përçarë gjithnjë e më shumë dhe është lënë anash politikisht që nga vitet 1990, kur Partia e Punës nën kryeministrin e atëhershëm Yitzhak Rabin, udhëhoqi bisedime me palestinezët për marrëveshjet e përkohshme të paqes. Përpjekjet për paqe u ngadalësuan nga vrasja e Rabin në vitin 1995 dhe mandati i parë i Benjamin Netanyahu si kryeministër.

OPINIONE