Avokati i Popullit Totozani takim me homologun e Turqisë, Seref Malkoç

Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani, takoi në Tiranë, kryetarin e Auditit Publik (Ombudsman) të Republikës së Turqisë dhe njëkohësisht kryekëshilltar i Presidencës së Turqisë, Şeref Malkoç.

Në këtë takim, Totozani dhe Malkoç theksuan rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, si dhe u angazhuan për agjenda të përbashkëta në të ardhmen, edhe në kuadër të pjesëmarrjes në organizma ndërkombëtare.

Pranimi i Avokatit të Republikës së Turqisë si anëtar me të drejta të plota i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), ku Totozani është kryetar, u konsiderua gjatë takimit “si një lajm shumë i mirë për bashkëpunime të mëtejshme”.

Totozani, garantoi mbështetje për anëtarësime të reja të Ombudsmanit të Turqisë, në institucionet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, ai e njohu homologun e tij turk edhe me mënyrën e funksionimit të institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, si dhe me angazhimet konkrete në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por edhe me detyrat e ngarkuara nga ligji për zbatimin e reformës në drejtësi.

Ndërkohë Malkoç, e ftoi Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, për një vizitë zyrtare në Turqi, ftesë kjo, që u mirëprit nga ky i fundit.

Malkoç, shoqërohej në këtë takim nga ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar,

Ndërsa pasditën e të premtes, instituti “Yunus Emre” nё Tiranё organizoi një seminar informues me tematik “Mbi zhvillimet e fundit në Turqi dhe pasqyrimi i tyre në Ballkan e Evropë”, me Şeref Malkoç.

Malkoç gjatë fjalës së tij u shpreh se Turqia në këto 15 vitet fundit ka përparuar shumë dhe ka krijuar stabilitet. Ai ka theksuar se në saje të liderit të saj dhe stabilitetit të vendit të ardhurat për frymë në Turqi janë rritur, gjithashtu është numri i universiteteve, aeroporteve, niveli i arsimit të të gjitha shkollave.

Ai u shpreh se Shqipëria është një vend i rëndësishëm në Ballkan, duke shtuar se Turqia ka lidhje të ngushta me Shqipërinë të cilat e kanë zanafillën shumë të hershme dhe të bazuara në një miqësi të mirë.

Sipas tij, solidarizimi i Turqisë me Shqipërinë është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe botë.

Malkoç ka edhe një mesazh për popullin shqiptar: “Në Shqipëri jetojnë 3 milionë shqiptarë, ndërsa tek ne më shumë. Në ngushticën e Bosforit në Stamboll vendi më i bukur e ka emrin ‘fshati shqiptar’. Ne nuk e ndajmë popullin turk nga ai i joni. Ka shumë shqiptarë që drejtojnë rajonet. Në vëllazëri dhe solidaritet do të ndikojmë për mirëqenie dhe paqe.”

Në aktivitetin e organizuar në Tiranë merrnin pjesë ambasadori i Turqisë nё Shqipëri, Hidayet Bayraktar, drejtori i Qendrës Kulturore “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, studiues, studentë, etj.

Në kuadër të vizitës zyrtare të kryekëshilltarit i Presidencës së Turqisë. Şeref Malkoç në Shqipëri do të zhvillohet sot, pasditen e të shtunës një takim tjetër në institutin “Yunus Emre”, në Shkodër me praninë e autoriteteve të qytetit, takim të cilën do ta pasqyrojmë në raportet informative të ditëve në vijim./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne